Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim në pallatin pesëkatësh në Rusi, humbin jetën 9 persona, mes tyre 4 fëmijë


Nëntë persona kanë humbur jetën këtë të shtunë pas një shpërthimi në një ndërtesë banimi pesëkatëshe në ishullin e largët lindor të Rusisë, Sakhalin.

Sipas agjencisë së lajmeve ruse TASS, mes viktimave janë edhe katër fëmijë.

Shërbimet e urgjencës thanë se ishin tre fëmijë të vdekur, por më pas Guvernatori i Rajonit, Valery Limarenko shkroi në kanalin e tij Telegram se kishte katër fëmijë në mesin e të vdekurve.

“Tani numri i njerëzve të vdekur është rritur në nëntë. Katër prej tyre janë fëmijë. Tani është errët këtu, por përpjekjet e shpëtimit do të vazhdojnë gjatë natës.”- tha ai.

Shërbimet rajonale të urgjencës raportuan se disa persona të tjerë mbetën nën rrënojat e pallatit.

“Disa persona mbeten nën rrënoja. Tani përpjekjet për heqjen e strukturave të shembura vazhdojnë.”- thanë shërbimet e urgjencës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 5:03 të mëngjesit (me orën e Moskës), ku një shpërthim i fuqishëm tronditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe në ishullin Sakhalin të Lindjes së Largët të Rusisë.

Sipas informacioneve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi në një prej apartamenteve, duke shkaktuar shembjen e dyshemesë në një pjesë. Ekipet e shpëtimit po punojnë në vendngjarje, me të paktën 13 automjete dhe 59 njerëz nga ekipet e shpëtimit.

Pallati pesëkatësh është ndërtuar në vitin 1980 dhe ka 80 apartamente.