Vendosni fjalën kyçe....

14-të ditë në bulevard, protestuesit stoikë: Rama të japë dorëheqjen, burg për kryeministrin dhe Berishën


Sot u mbajt protesta e 14-të në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë ku u vu re një masivitet pjesmarrjeje  ndërkaq dendësia e turmës  shtrihej nga godinat qeveritare e deri te Sheshi “Skënderbej”.

Me thirrjet e vazhdueshme “Rama ik” dhe parullat e prera kundër korrupsionit të të gjithë krahëve politikë, kjo masë e jashtëzakonshme qytetarësh ka bërë jehonë në mbarë botën, gjë e cila ka bërë që protestat të mos mbahen në vetëm në Shqipëri por në të gjithë vendet ku ka shqiptarë.

Mijëra njerëz nga grupmosha të ndryshme u bashkuan për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.

Njëkohësisht me protestën në bulevard u mbajt protestë në Nurenberg, Rennes dhe Frankfurt.

Shumë emigrantë kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Shqipërisë për t’u bërë pjesë e protestës në Tiranë.

Ndërkohë, para godinës së Kryeministrisë janë vendosur dhjetëra palë atlete nga organizatorët dhe qytetarët pjesëmarrës. Ky veprim simbolik përfaqëson largimin e shqiptarëve nga vendi dhe fenomenin e emigracionit që ka prekur mijëra familje shqiptare.

Ndërkohë një kërkesë ka pasur nga ana e protestuesve për Prokurorinë e Posaçme, rikthimin në krye të SPAK, Altin Dumanit.

“ Altin Dumani, rikthehu, merr frenat e SPAK-ut dhe fillo arrestimet sa më parë. Ti ke besimin e popullit shqiptar sot”.

Protestuesit kanë ngritur shqetësime për problematika sociale dhe ekonomike që, sipas tyre, kanë prekur vendin prej vitesh. Ata kanë përmendur vështirësitë në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor, mungesën e investimeve në infrastrukturë, emigrimin masiv të të rinjve, si dhe pensionet e ulëta që rëndojnë jetën e të moshuarve.

Ndërkaq paralelisht me protesta nëTiranë, protesta janë organizuar edhe në qytete të tjera si Durrësi, Korça, Elbasani dhe Vlora. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në marshime dhe aktivitete publike, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike dhe duke kundërshtuar projekte të caktuara, mes tyre edhe ndërtimin e resortit në zonën e Zvërnecit.

Protestat e zhvilluara në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar për pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe shtrirjen e tubimeve edhe në diasporë.

Raportimet ndërkombëtare e paraqesin situatën si një ndërthurje të disa sfidave kryesore, ku përballen pretendimet për zhvillim ekonomik, shqetësimet e ngritura nga qytetarët për problematikat sociale dhe ekonomike, si dhe debatet mbi politikat publike dhe qeverisjen. Sipas këtyre raportimeve, protestat pasqyrojnë pakënaqësitë e një pjese të shoqërisë që kërkon ndryshime dhe zgjidhje për çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha