Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Irani pranë një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës 3-mujore


Irani deklaroi të shtunën se mund të nënshkruajë kuadrin e një marrëveshjeje paqeje me Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim, por hodhi poshtë sugjerimin e Pakistanit, i cili po ndërmjetëson bisedimet, se marrëveshja do të nënshkruhej brenda 24 orëve të ardhshme.

SHBA-ja dhe Irani sinjalizuan të premten se një marrëveshje për t’i dhënë fund tre muajve luftë ishte pranë. Një zyrtar i administratës amerikane tha se të dyja palët kanë rënë dakord për një tekst dhe se Uashingtoni pret të nënshkruajë një marrëveshje fillestare në ditët e ardhshme.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, deklaroi të shtunën se të dyja palët kanë rënë dakord për një kuadër të marrëveshjes së paqes dhe se Islamabadi po përgatitet për një nënshkrim elektronik, i cili do të pasohet nga bisedime teknike javën e ardhshme, shkruan Reuters.

Sharif la të kuptohej se marrëveshja fillestare mund të nënshkruhej të dielën, por më vonë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, i cituar nga mediat shtetërore, tha se duhet treguar kujdes në lidhje me afatet kohore.

“Duhet të presim për të parë datën e saktë të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit, megjithëse ai nuk do të nënshkruhet nesër”, citohet të ketë thënë Baghaei.

“Mundësia që kjo të ndodhë në ditët në vijim nuk mund të përjashtohet. Megjithatë, për shkak të hezitimit të palës tjetër, duhet të jemi të kujdesshëm në komentet tona lidhur me këtë proces.”