Vendosni fjalën kyçe....

Meta për portin e Durrësit: Rama zgjodhi kompani guaskë, kërkon të zbatojë amnistinë fiskale


Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat ku bëri një tjetër denoncim lidhur me projektin e portit të ri të Durrësit.

Meta tha se Rama ka zgjedhur një kompani offshore me pronarë të fshehur, në vend të kompanive europiane. Sipas tij, Rama po zbaton kështu de facto Amistinë Fiskale.

 “Porti i Durrësit është i provuar me dokumente zyrtare dhe me dokumentin e vendimit të investimeve publike, se i është dhënë kompanive guaskë të regjistruar në ishujt Virgjn të Britanisë. Pra prona më e rëndësishme e shtetit shqiptar nuk dihet në duart e kujt është, pasi nuk njihen as pronaret e fshehur dhe as kapitalet dhe origjina e tyre në guaskat offshore.

Edi Rama në vend të kompanive prestigjiozë evropiane që mund të merrnin pjesë në një tender të hapur, përzgjidhi kompanitë e tij guaska dhe offshore me pronarë të fshehur. Ardhja e kompanive evropiane do të kishte qenë një mundësi e realizimit të projektit me transparencë, por edhe një sinjal i fortë për të hequr investime të tjera serioze në vend.

Edi Rama gënjeu dhe mashtroi publikisht dje në Parlament, kur tha që shteti nuk do të paguaj asgjë për Portin e Durrësit. E vërteta është krejt e kundërta, shteti shqiptar e ka përjashtuar këtë projekt nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, si dhe taksa e strehimit social duke i hequr financave publike qindra miliona euro.

Gjithashtu shteti ka vënë në dispozicion 812 mijë metra katrorë pa pagesë ndërkohë që dihet vlera e jashtëzakonshme që ka kjo sipërfaqe dhe që shkon në qindra miliona euro të tjera. Gjithashtu shteti ka vënë në dispozicion fond për shpronësim, pra që do të thotë pra miliona euro të tjera dhe sipërfaqe të tjera toke shtesë të këtij projekti.

Është e qartë që me pronarë offshore dhe me qindra leje ndërtimi për pallate në atë zonë pra Edi Rama kërkon të realizojë amnistinë e parave të pista dhe të shpërblejë të gjithë segmentet mafioze që e kanë mbështetur në shitblerje dhe manipulimin e zgjedhjeve.”- tha Meta.