Vendosni fjalën kyçe....

“E papranueshme” – Franca e Italia përplasen për anijen e emigrantëve


Italia ka shkelur normat e BE-së duke kundërshtuar të lejojë një anije shpëtimi të drejtuar nga një OJQ bamirëse me më shumë se 200 emigrantë në bord të ankorohet në portet e saj, ka thënë qeveria franceze. Pasi u largua nga Italia, anija kërkoi leje për të shkarkuar emigrantët në Francë.

“Qëndrimi i qeverisë italiane është i papranueshëm.” – tha Olivier Veran, një zëdhënës i qeverisë franceze, për radion France Info të mërkurën.

“Anija ndodhet në ujërat territoriale italiane. Ka rregulla jashtëzakonisht të qarta evropiane që janë pranuar nga italianët. Kjo anije duhet të pranohet nga Italia.” – vijoi deklarata.

Veran shtoi se Roma duhet ‘të luajë rolin e saj dhe të respektojë zotimet e saj evropiane’ duke lejuar anijen të ankorohet në brigjet e saj. Zëdhënësi tha se autoritetet franceze po mbikëqyrin nga afër gjendjen me anijen ndërsa negociatat me Italinë janë duke u zhvilluar.

Zemërimi erdhi pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni lëshoi ​​një deklaratë të martën duke nënkuptuar se Parisi kishte rënë dakord të merrte ‘Ocean Viking’, një anije e operuar nga SOS Mediterranee, një grup që shpëton emigrantët në det.

Drejtoresha e SOS Mediterranee Sophie Beau i tha AFP të martën se anija po lundronte në ujërat siciliane dhe se udhëtimi për në Francë do zgjaste të paktën dy ditë. Ajo tha se gjendja në bord kishte ‘arritur në një pikë kritike’.

Disa anije të operuara nga OJQ-së që shpëtojnë emigrantët në det janë në pritje të lejes për t’u ankoruar në portet evropiane. Të dielën, Italia lejoi tre anije të shkarkojnë grupe të zgjedhura emigrantësh në Siçili dhe Kalabri.