Vendosni fjalën kyçe....

Kandidatët e vdekur fitojnë zgjedhjet në SHBA


Përfaqësuesi i shtetit të Pensilvanisë, Tony DeLuca fitoi garën e tij për Kongres në një fitore dërrmuese në zgjedhjet afatmesme të së martës.

Problemi i vetëm është se ai ndërroi jetë muajin e kaluar, duke i lënë zyrtarët në një pozitë të çuditshme teksa ata përgatiten për zgjedhje të tjera për të mbushur vendin vakant. DeLuca është vetëm një nga shumë politikanë të vdekur që ka shënuar fitore këtë javë.

Ndërsa ai vdiq nga limfoma në moshën 85-vjeçare më 9 tetor, deri në atë moment ishte tepër vonë për të ndryshuar fletën e votimit ose për të nxjerrë një kandidat të ri në vend të DeLuca. Si përfaqësuesi më jetëgjatë i Pensilvanisë, ai fitoi lehtësisht ndaj sfidueses së tij, kandidaten e Partisë së Gjelbër Zarah Livingston, duke marrë gati 86% të votave ndërsa numërimi përfundoi të mërkurën pasdite.

Ligji i Pensilvanisë dikton që kandidatët zëvendësues nuk mund të zgjidhen pasi fletëvotimet fizike të kenë filluar të shtypen. Allegheny, qarku i përfaqësuar më parë nga DeLuca, filloi të shtypte fletëvotimet e tij më 28 shtator, më shumë se një javë përpara se ligjvënësi të vdiste.

Komiteti i fushatës Demokratike të Kongresit njoftoi se së shpejti do të pasonin zgjedhje të posaçme për të mbushur vendin e lënë bosh nga DeLuca-s, por vuri në dukje se ‘është krenar që votuesit vazhdojnë të tregojnë besimin e tyre tek ai dhe përkushtimi i tij ndaj vlerave demokratike duke e rizgjedhur atë pas vdekjes’.

DeLuca nuk është politikani i vetëm që fitoi në zgjedhjet afatmesme edhe pse kishte ndërruar jetë. Ish-kongresmenia e shtetit Tenesi, Barbara Cooper, një tjetër demokrate, mundi kandidatin e pavarur Michael Porter, pavarësisht se vdiq në fund të muajit të kaluar. Ajo ishte 93 vjeç kur vdiq dhe ishte në detyrë që nga viti 1996.

Ashtu si në rastin e Pensilvanisë, ligji i shtetit të Tenesit gjithashtu mandaton një datë përfundimtare për prezantimin e kandidatëve të rinj, që do të thotë se të gjithë kandidatët duhet të qëndrojnë në fletëvotim pas kësaj kohe, edhe nëse nuk jetojnë më. Guvernatori Bill Lee ka thënë se do të ketë një zgjedhje speciale për të përcaktuar pasardhësin e Cooper.

Fitoret pas vdekjes nuk janë krejt të rralla në politikën amerikane, me një të tillë që ndodhi në fillim të këtij viti kur votuesit e Palmhurst, Teksas zgjodhën të rizgjedhin kryebashkiakun e tyre të vdekur, i cili vdiq pak para zgjedhjeve.

Republikani i shtetit të Dakotës së Veriut, David Andahl, fitoi gjithashtu një mandat në zgjedhjet paraprake republikane të vitit 2020, javë pas vdekjes së tij, ndërsa ligjvënësi i shtetit të Wyoming, Roy Edwards vdiq vetëm një ditë para se të fitonte një garë pa kundërshtarë në të njëjtin vit.