Vendosni fjalën kyçe....

Meta për Portin e ri të Durrësit: Mund të ketë pasoja katastrofike për ekonominë e vendit


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka denoncuar sot përsëri projektin e ri të Portit të Durrësit, për të cilin ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja katastrofike për ekonominë e vendit.

“Në 27 tetor, sipas akteve të qeverisë na shfaqet si investitorë dhe një kompani tjetër me bazë në Dubai e themeluar në 2015-ën, një kompani offshore. Është e qartë se kjo është aferë tipike mafioze kundër interesave kombëtare, strategjike edhe në drejtim të sigurisë kombëtare dhe të pozitës së Shqipërisë sa i takon rolit të saj sa i takon zhvillimit ekonomik të gjithë rajonit. Është aferë që mund të rezultojë me pasoja katastrofike për vendin dhe për mungesën e zhvillimit të së ardhmes dhe për vetë financat publike. Ndaj PL do të investojë më tej dhe do të bëjë përgjegjëse çdo autoritet.”– tha Meta.

Ai u shpreh se edhe pse kanë kaluar 4 muaj, qeveria nuk po kthen përgjigje për pyetjet e drejtuar nga deputeti Petrit Vasili lidhur me këtë projekt.

“Vazhdon të thellohet më tej skandali i portit të Durrësit dhe dalin më qartë përpjeke e paligjshme të qeverisë dhe kryeministrit për të bllokuar transparencën për informacionet që janë e kërkuar sipas ligjit dhe kushtetutës që në datën 15 gusht, nga deputeti i PL zoti Vasili.

Ende sot pas gati 4 muajsh nuk ka asnjë përgjigje dhe asnjë llogaridhënie lidhur me këto pyetje.

A është dhënë statusi i investitorit strategjik?

Nëse po, cilës kompanie i është dhënë ky status?

Jeni shprehur publikisht se investitori do të jetë “Emaar Group” ndërkohë në memorandumin e firmosur nuk përmendet gjëkundi “Emaar Group” ?

Analiza financiare si detyrim ligjor për marrjen e statusit të investitorit strategjik nga cila kompani është paraqitur?

A parashikohet, që ashtu sikurse në rastin e inceneratorëve prona publike të mund të lihet kolateral në Bankat Shqiptare apo të huaja në funksion të marrjes së kredive nga kompanitë e përfshira në memorandum?

Cilat janë masat garantuese që Porti i Durrësit të mos sekuestrohet nga Bankat vendase apo të huaja për shkak të problemeve eventuale të kompanive huamarrëse?

Investimi detyron spostimin e Portit Tregtar aktual, cilat janë masat e marra që Dogana të funksionojë normalisht dhe kjo të mos ndikojë negativisht në realizimin e të ardhurave që lidhen me biznesin ashtu dhe për Buxhetin e Shtetit?

Cila është kosto e Portit të ri tregtar dhe sa është kohëzgjatja e realizimit të ndërtimit të këtij porti?

Në këtë periudhë të ndërmjetme pra të fillimit të ndërtimit të portit turistik nga njëra anë dhe Portit tregtare nga ana tjetër, ku do jetë vendodhja e funksionimit të Doganës portuale Durrës?

Ndërtimi i Portit të ri tregtar do të realizohet me fonde të buxhetit apo do kërkohet një tjetër borxh?

Cili është qëndrimi zyrtar i institucioneve të Bashkimit Evropian për këtë projekt?

Kërkojmë nga ju të na vihet në dispozicion i gjithë komunikimi zyrtare me Bashkimin Europian për këtë projekt.”– tha Meta.