Vendosni fjalën kyçe....

Hyn në fuqi ligji i ri për sigurimet e detyrueshme, parashikon bonus-malus (me dëshirë) dhe rritje të kufirit të dëmeve


Ditën e sotme, (e enjte, 1 korrik) ka hyrë në fuqi ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin mars të këtij viti.

Ligji do të sjellë disa risi të rëndësishme në lidhje me produktin më të rëndësishëm të sigurimeve në Shqipëri, atë të sigurimit të përgjegjësive motorrike ndaj palëve të treta.

Ligji i ri parashikon për herë të parë mundësinë e aplikimit të sistemit bonus-malus në për këtë sigurim. Ky sistem nënkupton “shpërblimin” e drejtuesve të mjeteve pa historik dëmesh me prime sigurimi më të ulëta dhe penalizimin e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme në të shkuarën me prime më të larta.

Sistemi gjithashtu mund të përmbajë edhe elementë të tjerë rreziku për diferencimin e primeve, të përcaktuara nga vetë kompanitë. Megjithatë, sistemi bonus-malus nuk do të jetë i detyrueshëm dhe aplikimi i tij në projektligj parashikohet si e drejtë e kompanive të sigurimit.

Nga pikëpamja ligjore, nuk kanë ekzistuar pengesa që sistemi bonus-malus të përdorej edhe më parë, madje në vitin 2019 Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare përgatiti një udhëzim të posaçëm për këtë qëllim. Asnjë kompani sigurimesh nuk e ka parë me interes deri më sot ta aplikojë sistemin bonus-malus. Sidoqoftë, tashmë koncepti i bonus-malus do të përfshihet shprehimisht edhe në ligjin bazë që rregullon këtë produkt.

Risi tjetër e rëndësishme e ligjit të ri është edhe rritja e limitit të përgjegjësive për çdo ngjarje sigurimi dhe person të dëmtuar në aksident. Sipas ligjit të ri, prej 1 korrikut 2021 kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident do të rritet në 22 milionë lekë, nga 20 milionë lekë që është aktualisht. Në periudhën 2022-2026 ky limit do të rritet më tej me dy milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin final prej 32 milionë lekësh në vitin 2025.

Të njëjtën shtrirje do të ketë edhe rritja e kufijve të përgjegjësive për çdo ngjarje sigurimi. Sipas ligjit të ri, kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet nga 1 korriku do të jetë 55 milionë lekë, ndërsa në rastin e autobusëve ky kufi do të jetë 150 milionë lekë. Gjatë katër viteve të ardhshme, kufiri do të rritet gjithsej me 16 milionë lekë (4 milionë lekë çdo vit).

Ligji parashikon që afati për trajtimin e dëmeve ndaj personave nga kompania e sigurimit do të jetë 90 ditë, ndërsa afati i dëmtimeve në pronë do të jetë 30 ditë. Megjithatë, për dëmet në vlerë të vogël, deri në 100 mijë lekë është përcaktuar një afat më i shkurtër prej 14 ditësh.

Më tej, shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimit.

Ligji rregullon edhe nivelin e përftimit që mund të shkojë për mbrojtësit ligjorë të të dëmtuarve në një ngjarje sigurimi. Kompanitë kanë akuzuar shpesh avokatët se shfrytëzojnë çështje të dëmeve në sigurime për të nxjerrë përfitime të mëdha dhe abuzive, në kurriz të siguruesve dhe vetë të dëmtuarve.

Projektligji vendos një kufi lidhur me shumën që mund të përfitojnë mbrojtësit ligjorë dhe që nuk mund të jetë më shumë se 5% e vlerës së dëmshpërblimit të përfituar. Gjithashtu, saktësohet se shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose të përfituesit. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor