Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari në Kili po raportonte për një grabitje, papagalli i vjedh kufjet gjatë transmetimit live


Një gazetar në Kili është përballur me një moment të papritur gjatë një transmetimi live. Një papagall i ka zbritur në shpatull duke i marrë kufjen që gazetari kishte në vesh dhe është larguar, dhe kjo ndodhi pikërisht në një moment kur ai po raportonte për një grabitje.

Gazetari Nicolas Krumm i cili punon për Chilevision, u përpoq të merrte sërish kufjet, por papagalli u largua.

“Sapo më vodhi kufjet”– bërtiti gazetari.

Ai shpjegoi më vonë në studio: “Po bënim një transmetim në mesditë dhe ndjeva diçka pranë meje dhe e dija që ishte një papagall. U përpoqa të lajmëroja kameramanin sepse ishte piktoresk dhe mendova se nuk ishte diçka që ndodh çdo ditë. Ka njerëz që kalojnë vite duke trajnuar papagajtë për t’i bërë ata të qëndrojnë mbi supet e tyre. Papagalli na kishte parë nga kangjella aty pranë dhe mendoj se kufja ime i ra në sy sepse po e shikonte me bisht të syrit para se ta merrte.

Më duhej të vazhdoja të flisja sepse ishim në mes të një transmetimi të drejtpërdrejtë. Vetëm kur jam i sigurt se kameramani e ka parë papagallin, ai më merr kufjet. Nuk ishte diçka që doja të komentoja në atë moment, sepse kishim të bënim me një temë delikate që ishte një vjedhje në një apartament dhe e konsiderova gjënë e duhur vazhdimin e transmetimit.”

Krumm zbuloi gjithashtu se kameramani i tij kishte arritur të gjente kufjen diku pranë. Siç duket papagalli pak më vonë e kishte hedhur atë.