Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Brendshëm i Kosovës: Do dalin para drejtësisë të gjithë personat e implikuar në skandal


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me videon virale që ka qarkulluar sot në rrjet, ku disa vajza shiheshin duke dhunuar një grua të moshuar në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Sveçla u shpreh se dhunueset që shfaqen në video janë arrestuar. Ai shton se këto veprime janë edhe më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që duhet të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje dhe bëri thirrje që të gjithë personat e përfshirë në këtë rast dhune të dalin para drejtësisë.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë.

Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.

Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor.”- shkruan Sveçla në rrjetet sociale.

Lidhur me ngjarjen e rëndë të bërë publike pasi rasti u denoncua në rrjetet sociale nga aktorja Kaltrina Zeneli, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vënë në pranga dhunuesen e dyshuar si dhe përgjegjësen e Shtëpisë së të Moshuarve.