Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj me të rinjtë: Lufta s’është në dorën tonë, por ne gjejmë zgjidhje, dallimi me të djathtën


Në një takim me të rinj në Njësinë Nr.1, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, tha se lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritjen e çmimeve kudo, por qeveria dhe bashkia po marrin vendimet e duhura për të lehtësuar krizën për qytetarët, sidomos studentët.

“Lufta nuk është në dorën tonë, por ne kemi në dorë të ulim koston e konvikteve për studentët apo t’i japim abonetë falas, siç kemi bërë tashmë. Ne kemi në dorë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Nëse ne, edhe kur shpenzojmë për familjet tona, i blejmë produktet shqiptare, sidomos produktet bujqësore, të cilat nuk janë ndikuar nga çmimet e luftës, apo e bëjmë pazarin te dyqani i lagjes, është një mënyrë për të thënë që edhe këtë krizë do e kalojmë bashkë.”- tha Veliaj në bashkëbisedimin me të rinjtë. Sipas tij, në këtë pikë dallon edhe kush është i majtë dhe kush është i djathtë.

Pasi e djathta sipas tij do justifikohej vetëm me faktin se është luftë dhe krizë dhe nuk do bënte asgjë, kurse bashkia e drejtuar prej tij ofron abonetë falas për studentët.

“Kur tërmeti prishi shtëpitë e shumë familjeve, e djathta do të thoshte ky është treg i lirë, jemi në kapitalizëm, shko te kompania e sigurimeve dhe ajo ta ndërton shtëpinë. Por a thuhet kjo në një vend që, vërtet është në kapitalizëm, por kur 97% e shtëpive janë të pasiguruara sepse kështu është tradita? Prandaj, e majta ka një përgjigje tjetër. Thotë: Do jetë shteti ai që do të rregullojë shtëpitë. Ky është dallimi mes së majtës dhe së djathtës.

E djathta do të thoshte: më vjen keq, është rritur çmimi i energjisë për bizneset, janë rritur çmimet e ushqimeve për shumë produkte, sidomos ato që kanë lidhje dhe prodhohen në Rusi apo Ukrainë, është rritur edhe ç֛mimi i naftës dhe gazit, që nuk varet nga ne. Kurse e majta thotë: Kjo ndërmarrje vërtet funksionon me rregullat e privatit, por aksioner është bashkia. Në vend të justifikimit, gjejmë një zgjidhje. Aty ku bashkia e ka në dorë, zgjidhja që bëmë ishte të subvencionojmë 50-75% të kostos së çdo konvikti. E djathta mendon se gjërat duhet t’i zgjidhë dora e fshehtë e tregut: pra, meqë kemi një rritje të naftës, do rritet edhe çmimi i abonesë së autobusit.

Por, e majta thotë: Do të japim Kartën e Studentit dhe abonenë do ta bëjmë falas.”– tha Veliaj.