Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministrja daneze jep dorëheqjen pavarësisht fitores në zgjedhje


Pavarësisht fitores në zgjedhjet e Danimarkës, kryeministrja Mette Frederiksen vendosi të japë dorëheqjen së bashku me qeverinë e saj socialdemokrate, pasi nuk arriti të krijonte një koalicion më të gjerë përtej ndasive politike.

Njoftimi i Frederiksen erdhi pas një numërimi dramatik të votave në të cilin blloku i qendrës së majtë që e ka mbështetur atë që nga viti 2019 ruajti shumicën në Parlament me një vend të vetëm.

Në teori, liderja 44-vjeçare mund të kishte qëndruar në pushtet pasi vendet e nevojshme i kishte. Por ajo tha se do t’i përmbahej premtimeve të bëra përpara zgjedhjeve të së martës për t’u përpjekur të formojë një koalicion më të gjerë qeverisës që përfshin partitë e qendrës së djathtë.

“Jam e lumtur, krenare dhe mirënjohëse”– tha Frederiksen sipas AP. “Kanë qenë disa vite shumë të vështira për të qenë kryeministre: së pari pandemia, tani inflacioni. Shumë thanë se një qeveri në detyrë nuk do të arrinte rizgjedhjen.”

Frederiksen ia dorëzoi dorëheqjen këtë të mërkurë mbretëreshës Margrethe të Danimarkës, megjithatë do të qëndrojë si kryeministre deri në formimin e një qeverie të re.

Të martën, socialdemokratët fituan 28% të votave, ose 50 vende në parlamentin danez prej 179 anëtarësh. Sondazhet dhe rezultatet paraprake kishin sugjeruar se partitë e qendrës së majtë së bashku nuk do të mblidhnin 90 vendet e nevojshme për një shumicë. Ata ishin një vend më pak deri në fund të numërimit të votave, kur morën vendin vendimtar.