Vendosni fjalën kyçe....

Lula fiton ngushtësisht në zgjedhjet presidenciale braziliane, Bolsonaro paralajmëron mosnjohjen e votimit elektronik


Ish-presidenti Luiz Inacio Lula da Silva fitoi kundër rivalit të tij të krahut të djathtë Jair Bolsonaro në një raund të dytë të kontestuar fort në zgjedhjet presidenciale braziliane të dielën. Autoriteti zgjedhor i vendit njoftoi fitoren e ngushtë të Lulës me 50,90% të votave kundrejt Bolsonaros që mori 49,10%.

“Kjo nuk është një fitore e imja apo e Partisë së Punëtorëve. Është fitorja e një lëvizjeje demokratike që u formua mbi partitë politike, interesat personale dhe ideologjitë në mënyrë që demokracia të jetë fituese.” – i tha Lula një turme brohoritëse mbështetësish në Sao Paulo të dielën mbrëma.

Presidenti i zgjedhur pranoi se pas një gare kaq të ngushtë, sfida për mandatin e tij të ardhshëm do jetë ‘e madhe’ dhe theksoi se ‘është e nevojshme të rindërtohet vetë shpirti i këtij vendi, të rikuperohet bujaria, solidariteti, respekti për dallimet dhe dashuria për të tjerët’.

Lula, i cili do marrë detyrën më 1 janar 2023, premtoi të jetë president për 215 milionë brazilianët, jo vetëm ata që votuan për të.

“Nuk ka dy Brazila. Ne jemi një vend, një popull, një komb i madh.”

Bolsonaro ende nuk e ka pranuar publikisht humbjen. Presidenti i tanishëm paralajmëroi vazhdimisht gjatë fushatës së tij se do kundërshtonte rezultatet nëse do të humbiste me një diferencë të ngushtë, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e sistemit elektronik të votimit të Brazilit.

Pasi qendrat e votimit u mbyllën në mbarë vendin në orën 17:00 me orën lokale, rezultatet fillestare treguan Bolsonaro përpara. Megjithatë, ashtu si në raundin e parë, epërsia e tij përfundimisht u ngushtua pasi u numëruan më shumë vota nga bastionet e da Silvës. Në raundin e parë më 2 tetor, da Silva mori mbi 48% të votave, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për të shpallur fitoren e menjëhershme.

Lula da Silva, i cili përfaqëson Partinë e Punëtorëve të Brazilit, e ka fokusuar fushatën e tij në tejkalimin e pabarazisë sociale dhe zbutjen e varfërisë. Ndër masat që ai propozon janë rritja e taksave për të pasurit, zgjerimi i rrjetit të sigurimeve shoqërore dhe rritja e pagës minimale.

Slogani i fushatës së Bolsonaros ka qenë ‘Zoti, familja, atdheu dhe liria’. Vizioni i tij për të ardhmen e Brazilit përfshin privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës në vend, hapjen e rajonit të Amazonës për më shumë miniera dhe lehtësimin e rregulloreve të armëve.

Në prag të përballjes, rivalët vazhdimisht shkëmbyen fyerje gjatë tubimeve të fushatës. Në një debat televiziv më 17 tetor, Lula e quajti Bolsonaron një ‘diktator të vogël’ dhe u zotua të mbrojë lirinë dhe demokracinë. Presidenti në fuqi u përgjigj, duke e quajtur Lulën ‘një siklet kombëtar’, për shkak të skandaleve të korrupsionit që ndodhën kur Partia e Punëtorëve (PT) e Lulës ishte në pushtet.

Lula, i cili qeverisi Brazilin nga viti 2003 deri në vitin 2010, u ndalua të kandidonte për president në vitin 2018, pasi u burgos për akuza për korrupsion që më vonë u hodhën poshtë nga gjykata.