Vendosni fjalën kyçe....

“Arsimi, prioriteti i prioriteteve për Partinë e Lirisë. Rama e ka zhytur vendin në borxhe të jashtëzakonshme”


Kreu i Partisë së Lirisë e cilësoi arsimin si prioritetin e prioriteteve kombëtare.

Meta tha se PL-ja ka një program të shkëlqyer për arsimin, i cili nën qeverisjen Rama është më i braktisur, më i politizuar e rrënuar se kurrë.

Ai tha gjithashtu se pedagogët e mësuesit janë ndër kategoritë më të nëpërkëmbura në vend.

“Për ne, Arsimi është prioritet i prioriteteve kombëtare dhe do të jetë prioriteti i parë sa herë diskutohet buxheti i shtetit. Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer për arsimin, sepse për shkak të Rilindjes, arsimi sot është më i braktisur, më i politizuar dhe më i rrënuar se kurrë. Braktisja e arsimit tregohet qartasi me mbështetjen buxhetore për arsimin, e tregon mbështetja për mësuesit, pedagogët dhe për kërkimin shkencor. Sipas Komisionit Europian, mësuesit në Shqipëri janë më të keqpaguarit në Evropë dhe rajon. Dy herë më shumë paguhet një mësues në Malin e Zi se në Shqipëri, ndërsa pedagogët tanë janë në një grevë legjitime, sepse ata kërkojnë që brenda dy vitesh, pagat e tyre të Jenë sa ato të Kosovës. Prandaj, sikurse kam rritur pagat e pedagogëve kur isha Kryeministër në vitin 2000 qe ishte edhe krize ekonomike, në masën 58%, edhe sot mbështes kerkesat legjitime të tyre per rritjen e pages. Rilindja e di se një popull i edukuar dhe një rini e mirëarsimuar kurrë nuk nënshtrohet.” – tha Meta.

Kreu i PL-së theksoi se forca politike që drejton ka një model ekonomik shumë të qartë për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Sipas Metës rilindja e ka zhytur vendin në krizë që rrezikon të shumëfishohet duke qenë se ka marrë mbi 3 miliardë euro borxh për të paguar koncesionet e inceneratorët.

“Ne kemi një model ekonomik shumë të qartë në programin e Partisë së Lirisë. Modeli ynë ekonomik do të balancojë rritjen e prodhimit me rritjen e konsumit. Rritja e prodhimit do të mbështetet nga rritja e investimeve publike produktive, dhe nga rritja e investimeve private. Modeli ekonomik do të mbështetet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke rritur investimet dhe shpenzimet sociale me qëllim themelor rritjen e mirëqenies së qytetarëve të të gjitha shtresave. Modeli ynë ekonomik nuk do të lejojë kurrë marrjen e borxheve për investime fasadë të cilat kanë ulur produktivitetin e borxhit.  Rilindja në periudhën 2013-2021 ka marrë mbi 3 miliardë Euro borxh dhe qytetarët nuk kanë parë asgjë, asnjë investim apo shërbim të përmirësuar apo të ri ndaj tyre, përveçse borxhit që rëndon mbi familjet shqiptare sot dhe për gjenerata me radhë. (për çdo 100 lekë të marrë borxh, vlera e ekonomisë është shtuar vetëm 84 lekë, në nivel më të ulët se niveli i borxhit.) Ndërsa në vitet 2000-2005, për çdo 100 lekë të marrë borxh, vlera e ekonomisë është shtuar 193 lekë.  Rënia pikiatë e produktivitetit të borxhit është treguesi më i mirë se rritja e borxhit i ka shërbyer vetëm Ramës dhe Rilindjes për të ekzekutuar vjedhje marramëndëse, me projekte publike të fryra disa fish.  Por rritja e borxhit nuk i ka shërbyer qytetarëve, sepse nuk i ka shërbyer prodhimit, hapjes së vendeve të reja të punës dhe mirëqenies së tyre. Ndërkohë, kosto e borxhit është dyfishuar dhe këtë e paguajnë qytetarët e Shqipërisë. Ndërkohë, raporti i borxhit publik kundrejt eksporteve të mallrave në vitin e kaluar ishte 12.8 për Shqipërinë dhe 1.1 për Maqedoninë, 1.3 për Bosnjen dhe 1.7 për Serbinë.” – shtoi Meta.