Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Rama përgjegjës për krizën energjetike, Partia e Lirisë program të qartë politik e model qeverisës


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka akuzuar Ramën për krizën energjetike në vend.

Gjatë fjalës në Konventën Kombëtare ai tha se kreu i qeverisë kërcënon prodhuesit vendas të energjisë që i kanë kursyer vendit qindra milionë dollarë teksa ai e blen energjinë shtatë herë shtrenjtë në tregun ndërkombëtar.

Po kështu Meta tha se PL-ja ka depozituar dy nisma në Kuvend për uljen e çmimit të karburantit.

“Kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike. Është fakt që HEC-et në vend kanë prodhuar më shumë energji elektrike sesa kanë pasur nevojë konsumi vendas gjatë vitit 2021. Është fakt që për një dekadë të tërë kjo qeveri nuk ka inaguruar asnjë vepër energjetike. Është fakt që mbi dhjetëra kerkesa për autorizime dhe leje për ndërtimin e parqeve solare me kapacitete instalues në total mbi 1000 Mega që kjo qeveri i ka bllokuar për me shumë se 3 vite. Është fakt që janë investuar nga privati 1.2 miliardë euro në fushën e prodhimit të energjisë dhe Edi Rama kërkon t’i falimentojë megjithëse ata e shesin energjinë shtatë herë më pak se çe blen banda e Rilindjes në tregjet e jashtme. Është fakt investimi i rreth 1 miliard Euro për humbjet teknike dhe niveli i tyre mbetet po i njejti, në masën 20%. Është fakt që 1.3 miliardë Euro, është borxhi i ndërsjelltë i ndërmarrjeve të energjise elektrike, ku vetëm Ujësjellsat kanë mbi 220 milionë euro borxh për energji elektrike të papaguar. Përgjegjësia për krizën energjetike dhe çmimet e larta të energjisë për konsumatorët kanë vetëm një emër, atë të Edi Ramës që në 10 vjet si Kryeministër është kujdesur vetëm për të mbushur xhepat e tij duke zbrazur xhepat e familjeve shqiptare dhe duke i kthyer kompanitë shtetërore, KESH, OSSHE, etj., në kompani korruptive dhe elektorale. Partia e Lirisë ka depozituar dy iniciativa ligjore në Kuvendin e Shqipërisë për të liberalizuar urgjent investimet për impiantet fotovoltaike me qëllim nxitjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta zgjidhur vetë prodhimin e energjisë me panele diellore dhe për të injektuar energjinë e tepër të tyre elektrike, në sistemin kombëtar të energjisë.” – tha Meta.

Ai shtoi më tej se programi politik i PL-së bazohet te llogaridhënia, bashkëpunimi, demokracia, kushtetueshmëria e referendumi.

“Krizat e jashtëzakonshme, kërkojnë lidership politik të fortë dhe zgjidhje të jashtëzakonshme. Rama ka ndërtuar një model qeverisës korruptiv, arrogant, grabitqar dhe shtypës. Në ofrojmë një program politik dhe model qeverisës që bazohet tek llogaridhënia, bashkëpunimi, demokracia, kushtetutshmëria dhe referendumi. Partia e Lirisë angazhohet për rivendosjen e sigurisë juridike në vend, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe biznesit, që të mos u tjetërsohet prona private për arsye klienteliste, të mos u mbyllet biznesi në mënyrë abritrare për shkak se nuk paguajnë gjobën ndaj taksidarëve, të mos ikin investitorët e huaj për shkak të monopolizimit të tregut dhe ekonomisë nga interesat korruptive të qeverisë. Ne angazhohemi për një model ekonomik, që stimulon iniciativën dhe tregun e lirë, konkurueshmërisë dhe mirëqenie për të gjithë. Përveç një pakete masash konkrete me “amortizatorë socialë” për zgjidhjen e krizës ekonomike, energjetike, ushqimore dhe inflacioniste, duhet urgjentisht të përballim edhe krizën demografike, shpopullimin, mplakjen dhe largimin e trurit dhe emigracionin masiv të rinisë shqiptare.” – theksoi Meta.