Vendosni fjalën kyçe....

“Pashë dikë duke vdekur para meje, jam me fat”- Futbollisti spanjoll i shpëton sulmit me thikë në një supermarket në Milano


Futbollisti spanjoll Pablo Mari, thotë se është “me fat” që është gjallë pasi i mbijetoi një sulmi me thikë në një supermarket të Milanos, pas të cilit iu desh t’i nënshtrohej një operacioni.

Mbrojtësi, i huazuar te klubi italian Monza nga Arsenali, ishte një nga pesë të plagosurit e sulmit të djeshëm që ndodhi në një supermarket në qendrën tregtare Milanofiori di Assago.

29-vjeçari tha për Gazzetta dello Sport: “Sot isha me fat, sepse pashë një person të vdiste para meje”.

Sulmi ndodhi rreth orës 18:30 të së enjtes kur një 46-vjeçar, që besohet se kishte probleme të shëndetit mendor rrëmbeu një thikë nga raftet në një supermarket dhe filloi të sulmonte njerëzit me të.

Mari u godit me grusht në fytyrë dhe me thikë në shpinë, por arriti të shpëtonte.

Ndërkohë ish-futbollisti Massimo Tarantino, i cili dikur luante për Interin dhe Napolin, thuhet se ndihmoi në çarmatosjen dhe ndalimin e sulmuesit derisa mbërriti policia.

Ai është shprehur për Corriere della Sera: “Unë nuk jam hero, nuk kam bërë asgjë të veçantë”.

ÇFARË NDODHI?

Futbollisti ishte duke ecur me gruan Veronica dhe djalin që po e shtynte në karrocë. Papritur Pablo Marí ndjeu një dhimbje në shpinë, më pas pa sulmuesin që goditi me thikë një vajzë në fyt.

Drejtori menaxhues i Monzas, Adriano Galliani tha se futbollisti ishte në gjendje të qëndrueshme. “Me siguri ka shpëtuar nga lartësia.”– komentoi ai, duke pasur parasysh se thika ka përfunduar disa centimetra larg një prej mushkërive.

Pablo ka pësuar edhe një plagë në gojë, ndoshta nga një përleshje, të cilën spanjolli nuk e mban mend – e cila u trajtua me dy qepje.

Sulmuesi i identifikuar dhe arrestuar nga policia ka goditur edhe katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe një punonjës i qendrës tregtare që humbi jetën.

Policia ka përjashtuar terrorizmin si motiv.