Vendosni fjalën kyçe....

Kriza energjetike/ Von der Leyen: BE do i japë 80 milionë euro grante Shqipërisë dhe 500 milionë euro gjithë rajonit


Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen foli për masat e marra nga BE për përballimin e krizës energjetike.

Po ashtu tha se BE do japë një paketë ndihme për energjinë elektrike për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria do përfitojë 80 milionë euro grante.

Masat e marra nga BE

Von Der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka rritur depozitat me gaz.

“Kriza energjitike është dhe shtysa kryesore ndaj inflacionit, reagimi duhet të jetë shumë më i gjerë thjesht sa mbështetja buxhetore. Në fakt së pari është e rëndësishme që ne jemi pjesë e një unioni energjitik, përfshirë dhe Shqipërinë dhe çfarëdo gjëje që ne bëjmë na ndikon njëri tjetrin. Që nga fillimi i luftës Rusia ka hequr qëllimisht 2/3 e furnizimit me gaz në Evropë dhe kjo ka sjellë rritjen e çmimit të gazit dhe të energjisë elektrike. Kemi diversifikuar tregun larg nga Rusia, përkatësisht nga SHBA-ja, kemi mbushur depot tona dhe këto janë në të gjithë BE-në por të gjithë ne përfitojmë nga këto depozita. Kjo na jep sigurinë se do ia dalim gjatë këtij dimri. Kemi një situatë që është stabël dhe tani mund të shohim dhe ndërhyrjet në treg për korrigjimin e tij.

Pjesa tjetër e dytë është ndikimi i çmimit të gazit te energjia elektrike. Mbështetje financiare e drejtpërdrejtë, promovimi i energjisë së gjelbër dhe ndërhyrja në treg për të ulur çmimet, ky është trekëndëshi që ne po bëjmë për këtë krizë, për të ulur çmimet.”– tha Von Der Leyen.

80 milionë euro grante për Shqipërinë

Ajo tha se BE-ja do të propozojë një paketë ndihme për energjinë elektrike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidentja Von der Leyen tha se për Shqipërinë do të japin 80 milionë euro grante.

“Këto janë arritje në një kohë sfidash, këtu kam parasysh luftën në Ukrainë. Rusia po shkel rendin ndërkombëtar dhe çdo Kartë të OKB-së. Fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi nga gazi rus, kjo për shkak të varësisë suaj nga sistemi hidrik. Por natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga çmimet stratosferike.

Ne në BE kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është nëpërmjet unitetit dhe solidaritetit. Pra, ne jemi pjesë e një unioni për energjinë dhe po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, për të ndikuar në zbutjen e çmimeve. Do të jenë 80 mln euro në grante. Ju keni një sistem për të ndihmuar familjet, por edhe bizneset e vogla. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por që do të vijë pas janarit, për energjinë, 500 mln euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike.”- deklaroi Von Der Leyen.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër tha se ndihma prej 80 milionë euro nga BE për energjinë elektrike, mbulon 1/6 e nevojave që ka vendi ynë.

“80 mln euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme, ndërkohë që nëse i referohemi këtij viti ne na është dashur në total, 460 mln euro, e kombinuar mes buxhetit të shtetit dhe operatorit të energjisë, pra 1/6, është një shumë marramendëse për buxhetin tonë, por që ka ndihmuar edhe për inflacionin. Nuk do rrisim energjinë, vendosja e fashës 800 kWh, është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë nevojat bazike, të gjitha pa përjashtim , pa pasur nevojë për më shumë! Mbi 1 mln konsumator, janë maksimumi 60 mijë familje që dalin mbi këtë tavan në kulmin e nevojës për ngrohje apo ftohje. Sa i përket kursimit shikojmë pozitivitet, nëse do kursehet arsyeshëm, s’kemi nevojë për fashën.”– tha Rama.