Vendosni fjalën kyçe....

“S’e dinim të shkuarën kriminale të personit, kemi bërë detyrën” – Dëshmia e mjekëve që mjekuan Nuredin Dumanin


Dy mjekët nga Fieri të cilët u arrestuan për mjekimin e Nuredin Dumanit kanë thënë në dëshminë e tyre nuk e njohin të arrestuarin dhe se nuk kishin dijeni për të shkuarën e tij kriminale.

Përveç dy mjekëve është arrestuar edhe një infermier si dhe e dashura 20-vjeçare nga Kosova e Dumanit.

Ky i fundit u ndalua pas një aksioni të policisë lidhur me një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e 29 marsit në Elbasan.

Një mjet tip ‘BMW’ u gjet i bërë shoshë nga plumbat ndërsa i plagosur mbeti Nuredin Dumani, një person i shumëkërkuar nga drejtësia.

Dyshohet se ai është qëlluar nga bashkëpunëtorët e Talo Çelës. Dumani dyshohet për një sërë ngjarjesh kriminale në vend mes të cilave ekzekutimi i Bujar Çelës, vëllai i Talo Çelës dhe katër të rinjve në Durrës.

“Kemi shkuar te banesa e personit të plagosur të shoqëruar nga një i njohur. Nuk kishim dijeni për të shkuarën e tij kriminale. Kemi bërë detyrën si mjekë për t’i ofruar ndihmën paraprake të shpejtë një njeriu. Kjo bazuar edhe në betimin e Hipokratit si profesionistë dhe në çfarëdo lloj situate që të ndodhemi nuk mund t’i mohojmë kujdesin shëndetësor askujt.” – kanë thënë ata gjatë dhënies së dëshmisë në polici.