Vendosni fjalën kyçe....

Eurodeputeti jep dorëheqjen pasi u pezullua për qëndrimin ndaj Ukrainës: Këtu s’ka më vend për opinione të ndryshme


Eurodeputeti holandez Marcel de Graaff është larguar publikisht nga ‘Identiteti e Demokracia’, grupi parlamentar i krahut të djathtë që javën e kaluar i dha një pezullim prej tre muajsh për shkak të komenteve të tij ‘të ashpra’ kundër përfshirjes perëndimore në Ukrainë në mediat sociale.

Këtë vendim ai e njoftoi të hënën, duke denoncuar ‘përpjekjen e grupit për të më heshtur për NATO-n e Ukrainën’.

“Nuk ka vend për një opinion të ndryshëm në grupin e ID.” – u ankua de Graaff në një deklaratë për shtyp të postuar në Twitter.

“Anëtarët tani janë të detyruar të ndjekin qëndrimin e partive që sundojnë në vendet e tyre. Ata kanë sakrifikuar parimet e tyre për pushtet, por unë nuk jam i përgatitur ta bëj këtë.”

“Unë jam në favor të zbutjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe distancohem nga pozicioni jashtëzakonisht luftarak i grupit të ID.” – tha ai.

“Po bëjmë një luftë që nuk është e jona dhe qytetarët tanë po paguajnë çmimin.” – shtoi de Graaff.

De Graaff sugjeroi që eurodeputetët me të njëjtin mendim të formojnë një grup të veçantë, bazuar në pikat e përbashkëta si ‘përfundimi i sanksioneve dhe zbutja e konfliktit Rusi-Ukrainë, respektimi i autonomisë dhe identitetit të shteteve anëtare të BE-së dhe asnjë detyrim vaksinimi’.

Ai pohoi se ndërsa ka të tjerë në ID që ndihen të ngjashëm me të, ata nuk flasin nga ‘frika se partitë dominuese në grup do i sanksionojnë’. Këto parti përfshijnë La Lega të Italisë dhe Rassemblement National të Francës, të cilat të dyja kanë lëvizur drejt pozicionit kryesor perëndimor ndaj Ukrainës.

De Graaff ka akuzuar gjithashtu SHBA-në për hedhjen në erë të tubacioneve Nord Stream dhe NATO-n për komplotimin e një sulmi bërthamor.