Vendosni fjalën kyçe....

Çuçi u jep disa porosi e këshilla 246 policëve të rinj: Mos u joshni nga korrupsioni e krimi, Policia gëzon besimin e shqiptarëve


Ministri i Brendshëm Çuçi u ka dhënë disa porosi 246 efektivëve të rinj të Policisë së Shtetit që i janë bashkuar sot trupës. Gjatë fjalës së tij ai ka këshilluar policët e rinj që të mos joshen nga korrupsioni e krimi.

Çuçi u tha gjithashtu efektivëve që të mos thyhen nga krimi e politika duke shigjetuar opozitën që sipas tij po ringjall fantazmat e politikës së vjetër.

Ministri pohoi gjithashtu se policia është një nga institucionet me besimin më të lartë në komunitet.

“Dua t’iu jap ca porosi këshilla, jo vetëm si ministër që mendoj që duhet ti keni parasysh gjatë rrugëtimit, mos u joshni nga korrupsioni dhe nga krimi se jo vetëm që do përballeni me forcën e ligjit dhe ndëshkimin e ligjit, por edhe si korrupsioni dhe krimi do iu zhveshin nga dinjitet. Kur ta kuptoni këtë gjë do jetë shumë vonë për ta korrigjuar gabimin. Mos u thyeni nga krimi, jeni të guximshëm, jo vetëm nga krimi por edhe nga politika që për fat të keq ende dhe ajo politikë  e mbrapshtë vazhdon atë rrugën e përbaltjes që e ka ringjallur dhe po e ringjallin fantazmat e politikës së vjetër. Mos u thyeni nga këto sulme, shikoni drejt sëardhmes, drejt zbatimi të ligjit. Policia vazhdon të jetë një institucionet që ka besimin më të lartë më komunitet, me të gjithë tentativat për ta përbaltur, vazhdon të jetë një nga institucione që gëzon besimin e publikut dhe shoqërisë. Jo vetëm të shoqërisë shqiptare, por si asnjëherë tjetër edhe besimin e partnerëve ndërkombëtar.” – tha Çuçi.

Deklarata e Çuçit vjen pak ditë pasi 32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën pas shoqërimit nga policia. Ngjarja nuk është zbardhur ende e shkaqet e vërteta të ngjarjes së rëndë nuk dihen ende.

Ndërsa policia pohoi se e ka dërguar të riun në spital, ku ka ndërruar jetë, Spitali i Traumës e ka hedhur poshtë këtë gjë duke thënë se i riu kishte ardhur pa shenja jete. Këshilli Shqiptar i Helsinkit gjeti disa shkelje në sjelljen e policisë lidhur me shoqërimin e të riut.

Prokuroria nga ana e saj njoftoi dje se ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e të riut. Ndërsa policia e Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nuk kanë folur për asnjë episode dhune ndaj të riut gjatë shoqërimit, duke pohuar se atij i është gjetur në stomak një qese me gjurmë kokaine, e ëma e Kurtit dhe shoku i tij kanë deklaruar se ndaj tij është ushtruar dhunë barbare.