Vendosni fjalën kyçe....

SHBA paralajmërojnë sanksione, pas sulmeve me dronë iranianë në Kiev


Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se do të ndërmarrin veprime kundër kompanive dhe shteteve që punojnë me Iranin në programin e tij të dronëve, pasi Rusia përdori dronë nga Irani për të kryer sulme kamikazë në Kiev.

“Kushdo që bën biznes me Irani, që mund të ketë çfarëdo lidhje me zhvillimin e dronëve, të raketave balistike apo të shitjes së armëve nga Irani në Rusi, duhet të ketë kujdes për veprimet e tyre. SHBA-ja nuk do të hezitojë të vendosë sanksione apo të ndërmarrë veprime ndaj keqbërësve”, tha më 17 tetor zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel.

“Rusia po varet nga aleanca me Irani dhe është diçka që e gjithë bota – veçanërisht ata në rajon – duhet ta shohin si një kërcënim të madh”, shtoi ai.

Patel tha se SHBA-ja po ashtu beson se dërgesat e dronëve nga Irani shkelin Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që ishte pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Ne besojmë se këta dronë janë transferuar nga Irani në Rusi dhe po përdoren nga Rusia në Ukrainë, dhe bëjnë pjesë në mesin e armëve që janë nën embargo sipas Rezolutës 2231”, tha ai.

Ndalesa ndaj eksporteve të armëve konvencionale nga Irani, skadoi në tetor të vitit 2020, pavarësisht përpjekjeve të OKB-së dhe SHBA-së – e cila u largua nga marrëveshja bërthamore – që kjo pikë e rezolutës të mbetej në fuqi.