Vendosni fjalën kyçe....

“Të hetohet” – OKB e tronditur nga rasti i emigrantëve të gjetur të zhveshur në kufirin Greqi-Turqi


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar” nga zbulimi i pothuajse 100 burrave të zhveshur në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë.

Të dy vendet kanë fajësuar njëri-tjetrin për gjendjen e vështirë të 92 emigrantëve.

Greqia ia hodhi fajin Turqisë, duke thënë se “sjellja” e saj ishte “turp për qytetërimin“. Por Turqia mohoi se i dërgoi ajo burrat përtej lumit Evros dhe akuzoi fqinjin e saj për “mizori“.

Ndërsa të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën, agjencia e refugjatëve e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për një hetim dhe tha se ishte “thellësisht e shqetësuar nga raportet dhe imazhet tronditëse”.

Siç shkruan BBC, Policia greke tha se shpëtoi 92 burrat që u zbuluan të zhveshur dhe disa me lëndime, afër kufirit të saj verior me Turqinë të premten.

Ata thanë se një hetim nga ata dhe zyrtarë të agjencisë kufitare të BE-së Frontex, gjeti prova se emigrantët kaluan lumin në territorin grek me gomone nga Turqia.

“Policët kufitarë… zbuluan 92 migrantë të paligjshëm pa rroba, disa prej të cilëve kishin lëndime në trup.”– thuhet në deklaratë, sipas BBC-së.

Autoritetet greke thanë se burrave iu dhanë menjëherë veshje, ushqim dhe ndihma e parë. Nuk ishte e qartë se si dhe pse burrat kishin humbur rrobat e tyre.

Frontex tha se burrat ishin kryesisht nga Afganistani dhe Siria dhe se zyrtari i të drejtave themelore të organizatës ishte informuar për një shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut.

Ministri grek për mbrojtjen civile, Takis Theodorikakos, akuzoi Turqinë për “instrumentalizimin e imigracionit të paligjshëm” në një seri akuzash të fundit për migrimin midis fqinjëve.

Duke folur në televizionin grek, ai pohoi se shumë nga emigrantët i kishin thënë Frontex se “tre automjete të ushtrisë turke i kishin transferuar” në lumë që vepron si kufi natyror mes dy vendeve.

Ankaraja ka mohuar çdo përgjegjësi.

Një ditë më parë, ministri grek i migracionit, Notis Mitarachi, tha në një postim në Twitter se trajtimi i Turqisë ndaj emigrantëve ishte një “turp për qytetërimin“. Ai tha se Athina priste që Ankaraja të hetonte incidentin dhe të “mbronte… kufirin e saj me BE”.

İsmail Çatakli, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Turqisë, iu kundërpërgjigj duke shkruar në Tëitter: “Meqenëse nuk mund të gjenit një rast të vetëm të shkeljes së të drejtave të njeriut nga Turqia, ju thjesht kërkoni të ekspozoni imazhin e mizorisë suaj që keni i shkaktuar sikur e ka bërë Turqia!”

Ai shton: “Shpenzojeni kohën tuaj për t’iu bindur të drejtave të njeriut, jo për manipulime dhe pandershmëri!”

Në përgjigje, UNHCR tha se është “thellësisht e shqetësuar nga raportet dhe imazhet tronditëse që janë shfaqur.

“Megjithatë, ne ende nuk kemi pasur akses në grup dhe asnjë informacion të dorës së parë prej tyre se çfarë ka ndodhur.”

Rasti vjen disa ditë pasi një raport i zbuluar nga një agjenci e BE-së kritikoi disa punonjës të lartë në Frontex për fshehjen e shtyrjeve të paligjshme të emigrantëve nga Greqia në Turqi, diçka që Athina e mohon. Frontex thotë se praktika të tilla nga stafi i saj janë një gjë e së kaluarës.