Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i CIA-s udhëtim të rrallë në Moskë, takon zyrtarët e sigurisë të Rusisë


Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara , William Burns, ka udhëtuar drejt Moskës për të biseduar me zyrtarët rusë të sigurisë, në kohën e tensioneve të vazhdueshme në mes të dyja shteteve.

Burns dhe Nikolai Patrushev, udhëheqës i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, “kanë diskutuar marrëdhëniet Rusi-SHBA”, është thënë në një komunikatë për media të këtij Këshilli më 2 nëntor.

“Drejtori i CIA-s, William Burns, me kërkesë të presidentit, është duke udhëhequr një delegacion të zyrtarëve të lartë amerikanë në Moskë më 2 dhe 3 nëntor”, ka thënë Ambasada amerikane në Moskë.

“Ata janë duke takuar pjesëtarë të Qeverisë ruse për të diskutuar një mori çështjesh në marrëdhëniet bilaterale”, është thënë në deklaratë.

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara janë në nivelet më të ulëta prej periudhës pas Luftës së Ftohtë, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, konfliktet në lindje të Ukrainës, sulmet kibernetike që dyshohet se i kanë kryer hakerët rusë dhe helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Biden dërgoi një eksperte të lartë ruse, nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland, në Moskë për bisedime muajin e kaluar, të cilat nuk arritën të jepnin ndonjë përparim në një mosmarrëveshje midis dy vendeve mbi madhësinë e ambasadave të tyre përkatëse.

Biden u takua me presidentin rus Vladimir Putin në një samit në Gjenevë në qershor dhe tha në atë kohë se do të duheshin gjashtë muaj deri në një vit për të zbuluar nëse të dy vendet mund të krijonin një dialog strategjik kuptimplotë.

Putin që kritikon shpesh Shtetet e Bashkuara, por tha muajin e kaluar se kishte krijuar një marrëdhënie konstruktive me Biden. Kremlini ka thënë se një takim i mëtejshëm mes të dyve këtë vit është një mundësi realiste.