Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë drejt automjetit të ambasadës së Azerbajxhanit në Uashington


Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka njoftuar se një automjet i ambasadës së tyre në Uashington është qëlluar me armë zjarri.

Sipas ministrisë, sulmi ndodhi mes natës së 10 tetorit dhe orëve të para të 11 tetorit.

Siç shkruan AA, ministria tha se thirri të ngarkuarin me punë të SHBA-së në Azerbajxhan dhe shprehu “shqetësim dhe pakënaqësi serioze për incidentin”.

Pas sulmit, ambasada kontaktoi menjëherë autoritetet përkatëse amerikane dhe u dha atyre pamjet e incidentit.

Azerbajxhani “dënon me forcë aktet kriminale të bazuara në urrejtjen e forcave radikale në vendet e huaja të drejtuara kundër misioneve diplomatike të Azerbajxhanit, diplomatëve dhe pronës së tyre, dhe kërkon që institucionet përgjegjëse për parandalimin e provokimeve të tilla në vendet e tyre përkatëse t’i qasen detyrave të tyre me përgjegjësi të plotë”- thuhej në reagim.

Sulmet sistematike ndaj misioneve diplomatike të Azerbajxhanit nga “anëtarët radikalë” të komuniteteve armene, duke përfshirë “akte vandalizmi” në Uashington, Paris, Bejrut dhe qytete të tjera, janë një shqetësim serioz.

“Garantimi i sigurisë së misioneve tona diplomatike në vendet e huaja është një detyrim i vendit pritës.”- thuhet në deklaratë.

“Në këtë drejtim, ne theksojmë edhe një herë nevojën për të kryer një hetim të duhur për çdo incident dhe për të garantuar sigurinë e ambasadave dhe diplomatëve tanë në nivelin e duhur.”- vijon deklarata.