Vendosni fjalën kyçe....

U futën pa leje dhe filmuan vendin ku u vranë 23 fëmijë në Tajlandë, gazetarët e CNN kërkojnë falje


Dy gazetarë të gazetës amerikane CNN kanë kërkuar falje për mbulimin që i kanë bërë sulmit të javës së kaluar që ndodhi në një qendër kujdesi për fëmijët në Tajlandë, që la të vdekur 37 persona, përfshirë 23 fëmijë.

Gazetarët hynë në ndërtesën ku ndodhi sulmi dhe filmuan vendin e ngjarjes.

Ata u akuzuan se kishin shkelur dhe filmuar një skenë krimi pa leje.

Të dy gazetarët u liruan më vonë nga akuzat penale, por u gjobitën që punuan si gazetarë gjatë kohës që ishin me viza turistike.

Reporterja Anna Coren dhe kameramani Daniel Hodge kanë rënë dakord të largohen nga vendi. Ata gjithashtu kanë kërkuar falje në një videomesazh që është shpërndarë gjerësisht nga mediat lokale ku duket se e kanë filmuar brenda një stacioni policie.

“Kërkoj ndjesën më të thellë… veçanërisht familjet e viktimave të kësaj tragjedie – na vjen shumë keq që ju kemi shkaktuar më shumë dhimbje dhe vuajtje.”- tha Coren, e cila sipas BBC-së së bashku me zotin Hodge u gjobitën me 5,000 baht (apo 133 dollarë).

“Ne e dimë se vendi juaj po kalon një kohë të dhimbshme dhe ne kurrë nuk erdhëm këtu për të shkaktuar më shumë pikëllim.”

Policia tajlandeze hetoi incidentin pasi gazetarë të tjerë ngritën shqetësime. Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Tajlandës dhe Shoqata e Gazetarëve në Tajlandë publikuan deklarata duke kritikuar ekipin e CNN për “një shkelje të rëndë të etikës gazetareske në raportimin e krimit”.

“A do të ishte sjellë një nga ekuipazhet e tyre në të njëjtën mënyrë në një skenë krimi të rëndë në Shtetet e Bashkuara?”-pyetën gazetarët vendas.

Kishte gjithashtu një foto të shpërndarë gjerësisht në mediat sociale nga fundjava që tregonte një anëtar të ekuipazhit të CNN duke u ngjitur mbi një gardh të ulët për t’u larguar nga kompleksi.

Coren dhe Hodge u dërguan më vonë në stacionin e policisë në provincën Nong Bua Lam Phu, ku ndodhi sulmi, për t’u marrë në pyetje.

Dy ministra tajlandez kanë thënë se ekuipazhi i CNN-it nuk kishte leje zyrtare për të hyrë në ambiente, por policia pranoi se ata besonin se kishin leje dhe vendosi të mos i ndiqte penalisht.

CNN ka nxjerrë dy deklarata. Në përgjigjen e parë, tha se ekuipazhit të tyre iu tha nga tre zyrtarë të shëndetit publik se ata mund të filmonin brenda. Ata thanë se godina ishin rrethuar kur ishin brenda dhe duhej të ngjiteshin mbi gardh për t’u larguar.

Në deklaratën e dytë, nënkryetari ekzekutiv dhe menaxheri i përgjithshëm i CNN International, Mike Mçarthy tha se ekipi hyri në ndërtesë “me mirëbesim, për të fituar një përshtypje më të plotë të asaj që ndodhi brenda dhe për të humanizuar shkallën e tragjedisë për audiencën e tyre”.

Ai shtoi se ata “pendohen thellësisht për çdo shqetësim apo ofendim” që mund të ketë shkaktuar raporti dhe tha se CNN që atëherë e kishte ndaluar transmetimin e raportit dhe e kishte hequr videon nga uebfaqja e saj.

Tajlanda është ende e tronditur nga sulmi i kryer nga një ish-polic, i cili sulmoi qendrën e kujdesit për fëmijët, duke vrarë fëmijët deri në dy vjeç ndërsa ata flinin.

Policia thotë se sulmuesi Panya Kamrab, 34-vjeçar, vrau gjithashtu gruan dhe njerkun e tij, përpara se të vriste veten. Ende nuk dihet motivi i sulmit.