Vendosni fjalën kyçe....

Meta takon ambasadorin e Serbisë: Mbështesim Procesin e Berlinit dhe dialogun Prishtinë-Beograd


Kryetari i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim ambasadorin serb në Tiranë, Slobodan Vukčević.

Ndërsa publikon disa foto nga ky takim, Meta shkruan në rrjetet sociale se gjatë këtij takimi me ambasadorin serb ka theksuar angazhimin e Partisë së Lirisë për marrëdhënie bashkëpunimi institucionale dhe konkrete me interes reciprok, midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Por gjithashtu dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë.

“Prita sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukčević. Theksova angazhimin e Partisë së Lirisë për marrëdhënie bashkëpunimi institucionale dhe konkrete me interes reciprok, midis Shqipërisë dhe Serbisë, si edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian.

Partia e Lirisë mbështet në veçanti bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, duke e konsideruar si një bazë solide për një integrim të vërtetë të të gjashtë vendeve të rajonit, sipas modelit europian, mes vetes dhe në BE.

Partia e Lirisë nënvizon nevojën për respektimin e të drejtave të plota të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë, dhe i bën thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që zhvillohet atje.

Partia e Lirisë mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke midis dy shteteve.”- shkruan ish-presidenti.

Ai shton se Partia e Lirisë është e bindur se e ardhmja e rajonit të Ballkanit Perëndimor është e sigurtë dhe me prosperitet për të gjithë, vetëm si pjesë e Bashkimit Europian.