Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet kibernetike/ Presidenti Begaj 2 orë mbledhje me Këshillin e Sigurimit


Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Sipas televizionit “News 24”, mbledhja ka nisur në orën 11:00 dhe ka zgjatur përreth 2 orë.

Në këtë mbledhje u diskutua lidhur me sulmet kibernetike nga Irani që kanë goditur vendin tonë gjatë muajit korrik dhe shtator.

Në këtë takim morën pjesë kryeministri Rama, ministrja e Jashtme Xhaçka, ai i mbrojtjes Peleshi si dhe ministri i Brendshëm Çuçi.

Sulmi i parë kibernetik ndodhi më 15 korrik 2022, ku për disa ditë u sulmuan platformat qeveritare. Ai u pasua nga një tjetër ndaj sistemit TIMS më 10 shtator.

Kryeministri Rama akuzoi drejtpërdrejt Iranin si financuesin, organizatorin e ekzekutuesin e sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin e duke përzënë stafin e ambasadës në Tiranë.

Sulmi është dënuar edhe nga SHBA-ja, BE-ja e NATO-ja që kanë kërkuar që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë gjë.

Ndërsa kryeministri Rama ka pohuar në disa raste që sistemet shqiptare të mbrojtjes i kanë rezistuar sulmit duke mos lejuar shumë dëme dhe se të dhënat e qytetarëve janë të sigurta, në disa raste hakerat e HomelandJustice kanë publikuar materiale të ndryshme të marra nga platforma qeveritare.

Vetëm pak ditë më parë, një tjetër sulm kibernetik goditi gjykatat në vend.