Vendosni fjalën kyçe....

“Largoni ambasadorin rus”- Balla pas thirrjes së Berishës: Saliu mbush tullumbace dhe i lëshon


 

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur në një prononcim për mediet lidhur me mesazhin e presidentit ukrainas në Kuvendin shqiptar si dhe për thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, për largimin e ambasadorit rus dhe bllokimin e vizave për turistët nga Rusia.

Balla tha se këto janë propozime që nuk kanë vlerë as nuk janë pjesë e një strategjie të koordinuar.

“Për të gjithë ishte e qartë dhe pozicioni i Shqipërisë i shprehur. Po aq i qartë ishte dhe vlerësimi i Zelenskyt për mbështetjen e ofruar nga Shqipëria, qoftë në aspektin e prezencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe për prezencën e saj si anëtare e NATO. Kashtë mbi tjegulla mund të pretendojë të vendos gjithkush, por nuk besoj se është momenti që këtu në Shqipëri, apo partnerë, që e kanë mbyllur kapitullin e tyre, të vijnë me propozime që nuk kanë vlerë as nuk janë pjesë e një strategjie të koordinuar. Agresioni i pajustifikuar rus e ka bërë botën më të bashkuar se kurrë kundër Rusisë.”- tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist e quajti një tullumbace të lëshuar në ajër, kërkesën e ish-kryeministrit Berisha për të ndaluar vizat për qytetarët rusë.

“Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat sikurse dhe kryeministri Rama bëri me dije në fjalimin e tij.

Të merremi me gjëra serioze dhe jo me tullumbace populiste. Nuk e kam dëgjuar çfarë ka thënë zoti Berisha. Zoti Berisha nuk ekziston për mua, nuk do t‘i përgjigjem asnjë pyetjeje që ka fjalën Berisha brenda.

Nëse do ta dëgjoni fjalën e kryeministrit Rama keni të gjitha hapat që do të ndërmarrë Shqipëria në mbështetje të Ukrainës, së bashku me aleatët e tjerë. Qeveria shqiptare do të jetë në valën e parë të vendeve që dëmtojnë ekonominë ruse dhe agresorin. Ne nuk i japim vlerë tullumbaceve që lëshon Sali Berisha. Në pamundësi për t’u marrë në konsideratë Saliu mbush tullumbace dhe i lëshon.”- shtoi Balla.

Direkt pas mesazhit të Zelensky-t, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje që të anulohen vizat turistike për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në vendin tonë.

Po ashtu Berisha tha se Shqipëria duhet të largojë ambasadorin rus nga Tirana dhe të tërheqë ambasadorin shqiptar nga Moska.