Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i pullave fiskale, 60 mln euro kosto për bizneset, vetëm 1.2 mln euro përfitime për shtetin


Për shkak të çmimit 10 herë më të lartë se rajoni dhe vendet e BE-së, sipërmarrësit e akcizës në 9 vjet janë rënduar nga fatura shtesë prej 60 milionë eurosh. Kompanitë e mallrave të akcizës kërkojnë njehsimin e çmimit të pullës në nivelet e vendeve të rajonit, pasi do të rrisë konsumin dhe të ardhurat e buxhetit.

Përveç çmimit të lartë të pullës fiskale, për këtë koncesion vijojnë edhe paqartësitë ligjore të përfundimin të afatit. Bizneset më të mëdha e vlerësojnë situatëm anormale dhe paralajmërojnë nisjen e luftës ligjore.

Në 9 vjet, bizneset shqiptare të tregtimit të mallrave të akcizës kanë paguar rreth 60 milionë euro më shumë në raport me vendet e rajonit dhe Europës për shkak të tarifës së lartë të koncesionit të pullave fiskale.

Në Europë, çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD, ndërsa në Shqipëri, 22,4 USD. Pavarësisht kostove të larta të paguara nga sipërmarrja, të ardhurat e buxhetit të shtetit në 9 vjet llogariten të jenë në vlerën e 1,2 mln eurove, ndërsa siç pohojnë bizneset, efektet e luftës së informalitetit dhe tregtisë së paligjshme nuk janë zgjidhur.

Të dhënat financiare dhe ekonomike të kontratës së koncesionit paraqiten në studimin “Koncesioni i pullave fiskale, midis kostove të larta dhe logjikës së munguar ekonomike” të dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, UET, Elvin Meka.

Kostoja shtesë e bizneseve, krahasuar me vendet e BE-së dhe Kosovës në studim është llogaritur nga xhiroja vjetore e kompanisë SICPA Security Solutions Albania deri në vitin 2020, ndërsa të ardhurat për buxhetin nga tarifa e koncesionit prej 2% të të ardhurave neto nga shitja e pullave fiskale që paguan ndaj shtetit koncesionari.

Por Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) ende nuk i ka bërë publike të dhënat ekonomike nga përfitimi i këtij koncesioni, i miratuar në 2012 nga qeveria “Berisha”. Burime nga MFE thanë për “Monitor” se javën e fundit të muajit shtator do të nisë një tjetër grup pune për të analizuar efektet e deritashme financiare dhe ekonomike të koncesionit.

Por ndërkohë vijojnë të mbeten të paqarta afatet e përfundimit të koncesionit. MFE nuk e ka nisur zbatimin e procedurës së mbylljes së koncesionit të pullave fiskale, e parashikuar më 6 gusht 2022, sipas nenit 51 dhe aneksit 22 të kontratës.

Një vit më parë, një grup pune me ekspertë të Ministrisë dhe Avokaturës së Shtetit përcaktuan se data efektive e fillimit të koncesionit ishte 6 shkurt 2013, data e përfundimit 6 shkurt 2023 dhe periudha e daljes së koncesionit 6 gusht 2022. Data efektive e fillimit të koncesionit në gjithë këto vite ka qenë ngërçi ligjor i kësaj kontrate.

MFE s’ka bërë transparencë për bizneset pse nuk kanë nisur procedurat e mbylljes së koncesionit, ndërsa pranon se referuar konkluzioneve të grupit të punës, ende nuk ka kaluar afati i përfundimit të kontratës.

Edhe kompania koncesionare “Sicpa Security Solutions Albania” sh.p.k. konfirmoi për “Monitor” se nuk ka marrë asnjë njoftim nga institucionet shqiptare për periudhën e daljes. Sicpa vijon t’i mbetet qëndrimit për shtyrje edhe me 10 vite të kontratës, pasi nuk është përmbushur një komponent, ai i vendosjes së pullës te barnat.

Bizneset e tregtimit të mallrave të akcizës vijojnë të vuajnë nga kostoja e lartë e tarifave të pullave fiskale. Kompanitë thonë se tarifa që paguajnë prej 10 vitesh për pullën fiskale është një barrë e paarsyeshme.

Sipërmarrësit kërkojnë barazim të tarifës së pullës fiskale me vendet e rajonit, për t’i lehtësuar ata në kosto, për të nxitur rritjen e konsumit dhe të ardhurat e buxhetit. Për rrjedhojë, prodhuesit dhe importuesit më të mëdhenj të mallrave të akcizës paralajmërojnë se, nëse nuk respektohen afatet e koncesionit, do t’i drejtohen rrugës ligjore.

Biznesi ka paguar 60 milionë euro shtesë prej koncesionit

Dekani i UET, Elvin Meka, shpjegoi për “Monitor” se kostoja shtesë prej 60 milionë eurosh që kompanitë shqiptare kanë paguar më shumë se vendet e rajonit për pullat fiskale në vite është bazuar te të ardhurat e kompanisë Sicpa dhe tarifat deri 10 herë më të larta se vendet e BE-së. Sipas Mekës, ndërkohë kosto apo “dëmi” fiskal për konsumatorin final është edhe më i madh se kjo shifër, për shkak të efektit kaskadë mbi çmimin final të produktit.

“Nisur nga raportimet zyrtare të koncesionarit gjatë 9 viteve (deri në 2020), pa llogaritur 2021-shin dhe vitin aktual, shoqëria koncesionare ka realizuar një xhiro totale prej rreth 8 miliardë lekësh, ku xhiro mesatare vjetore është luhatur në kufijtë e 900 milionë lekëve.

Shifra prej rreth 60 eurosh e paguar “tepër” nxirret me deduksion, pasi, nëse shoqëria koncesionare do të aplikonte një çmim normal për shitjen e pullave fiskale, nga 7 deri në 10 herë më të ulët, si çmimet e aplikuara rëndom në vendet e rajonit dhe në Europë, shuma financiare e arkëtuar nga biznesi do të luhatej në kufirin e 1-2 miliardë lekëve, çka nënkupton lehtësisht se biznesit shqiptar, importues dhe prodhues të këtyre mallrave të akcizës, i janë marrë rreth 7 miliardë lekë më shumë, ose rreth 60 milionë euro më shumë, gjatë periudhës së koncesionit (të paktën deri në vitin 2020)”, pohon ai.

Studimi vlerëson se Shqipëria ofron koncesionin më të shtrenjtë për pullat fiskale, madje ngarkon me kosto pulle fiskale edhe produkte që normalisht nuk trajtohen si të tilla në gjithë vendet e BE-së dhe rajonit (birra), duke ngarkuar me kosto të tepërta dhe të panevojshme konsumatorin dhe prodhuesit shqiptar, duke rënduar pa arsye buxhetet familjare.

Shoqëria koncesionare përdor një metodë të prapambetur printimi të pullave fiskale për birrën, duke rritur kostot dhe shpenzimet e prodhimit dhe importit, e duke rënduar më tej konsumatorin final.

“Prodhuesit vendas, në përputhje me zbatimin korrekt të shërbimit të shoqërisë koncesionare, janë të detyruar të ndjekin një procedurë tejet komplekse, për blerjen dhe vendosjen e pullave fiskale në mallrat që i nënshtrohen regjimit të akcizës, si cigare, birrë, verëra dhe pije të tjera alkoolike. Për më tepër, edhe për importuesit e mallrave të akcizës, procedura e dërgimit të pullave fiskale te prodhuesit e mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, jashtë Shqipërisë, sjellin disa kosto ekstra.

Kjo pasi përtej faktit se, për pullat fiskale, importuesit shqiptarë janë të detyruar të depozitojnë garancitë bankare përkatëse, sërish dërgimi i tyre te prodhuesit (jashtë Shqipërisë) duhet të bëhet nga shoqëri transporti ndërkombëtare, e kjo rrit edhe më tej kostot përkatëse të biznesit.

Në jo pak raste, importuesit (p.sh. të birrës por jo vetëm), dërgojnë te prodhuesit thuajse çdo javë pullat fiskale, duke akumuluar kosto gjithnjë e më të larta”, theksohet në dokument.

Po ashtu, edhe konsumatori final rëndohet, nënvizon studimi jo vetëm me koston financiare të shoqërisë koncesionare, por dhe me koston e investimeve të prodhuesve, pasi transferimi i çmimit nuk ndodh sipas parimit dollar-për-dollar (lek-për-lek), por sipas parimit të kaskadës, ku proceset sekuenciale shtojnë kostot përfundimtare më shumë sesa shuma aritmetike e tyre pas çdo hallke apo proces.

Kostoja vjetore e biznesit

Kompanitë e tregtimit të mallrave të akcizës njëzëri përsërisin sërish shqetësimin për koston e lartë të tarifave që duhet të paguajnë krahasuar me rajonin dhe vendet e BE-së, në një kohë kur efektet e luftës së informalitetit dhe tregtisë së paligjshme nuk kanë qenë pozitive.

Administratori i një prej kompanive më të mëdha të prodhimit dhe importit të mallrave ushqimore, Kristo Naçi, nga AGNA Group, pohoi për “Monitor” se kostoja vjetore që paguhet për pullat fiskale është rreth 2,8 mln euro.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që paguan pullë fiskale për birrën. Bizneset shqiptare, përveçse ngarkohen me një kosto shtesë që nuk e ka rajoni dhe Europa, për këtë produkt ka një rritje kosto që vjen nga garancitë për sigurimin e akcizës, kosto administrative, kosto pullosje me makineri shtesë automatike apo manuale.

“Duke krahasuar me vlerën e mallit dhe të akcizës së tyre, këto kosto e rëndojnë më shumë çmimin e birrave sesa mallrat e tjerë”, thekson Kristo Naçi.

Enzo Panteqi, administrator i kompanisë “Stefani & Co”, u shpreh për “Monitor” se në rastin e birrës, blerja e pullave fiskale është sa 50% e vlerës së akcizës. “Përpara çdo prodhimi, kompania është e detyruar të paguajë pullat me vlerë 22 euro, për 1000 copë (pa TVSH).

Për kompaninë tonë, konkretisht, pulla është 4% e xhiros. Në një pjesë të mirë të produkteve tona, kjo vlerë shkon deri në 50% të vlerës së akcizës. Përveç gjithë kostove më sipër, infrastruktura ka ndikuar gjithashtu në buxhetin tonë”, pohoi ai. Në total, në vitin 2021, kompania Stefani & Co i ka paguar kompanisë Sicpa 143,378 euro për pullat fiskale.

Të ardhurat e buxhetit nga koncesioni

Qeveria shqiptare është një përfituese tejet modeste e të ardhurave nga ky koncesion. Për dekanin e UET, Elvin Meka, ky është një tjetër faktor që e bën të paarsyeshëm vijimin e tij, të paktën në këtë regjim të vendosjes së vlerës dhe çmimit të pullave fiskale.

“Në përputhje me klauzolat ligjore, saktësisht në Aneksin 18 të marrëveshjes koncesionare (pika 2.1), përcaktohet se koncesionari do t’i paguajë Autoritetit një Tarifë Koncesioni prej 2% të të Ardhurave Neto nga shitja e pullave fiskale për të drejtat dhe privilegjet e akorduara në këtë Marrëveshje, sipas pasqyrave financiare të audituara të Kompanisë së Koncesionit, për çdo Vit Financiar.

Duke përllogaritur që, koncesionari ka realizuar një xhiro prej 8 miliardë lekësh deri në vitin 2020, aplikimi i tarifës prej 2% jep një të ardhurë prej 161 milionë lekësh për qeverinë shqiptare, për një horizont kohor 9- vjeçar, ose rreth 1,2 milionë euro, pra një e ardhurë tejet modeste, duke llogaritur dhe faktin që për 5 vite koncesionari nuk ka rezultuar me fitim (pra nuk ka paguar as tatim-fitim)”, nënvizon dekani i UET.

Meka gjithashtu nënvizon se nuk ekziston ndonjë raport, qoftë i qeverisë shqiptare, apo i vetë koncesionarit, që të evidentojë ndër vite ndonjë lloj suksesi, apo arritje në luftën kundër informalitetit.

“Përkundrazi, ajo që evidentohet nga njëri vit në tjetrin është rritja e nivelit të informalitetit në tregun shqiptar të pijeve alkoolike. Një fakt i tillë pohohet dhe nga vetë sipërmarrësit shqiptarë të pijeve alkoolike. Për më tepër, shumica e prodhimit vendas të pijeve të forta alkoolike, për arsye objektive dhe subjektive, as që regjistrohet nga radari i koncesionarit dhe instancave të qeverisë, duke kompromentuar thelbësisht rolin e pullave fiskale si instrument për kontroll në treg dhe për vetë sigurinë ushqimore”.

Edhe administratori i kompanisë AGNA Group, Kristo Naçi shton se çmimi aktual shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë ndikim në buxhetin e shtetit dhe për më tepër nuk ka arritur të adresojë problemin e vërtetë të tregtisë së paligjshme me produktet e akcizës, e cila vazhdon të jetë e pranishme.

“Kjo pullë nuk mund të shitet si zgjidhje për tregtinë e paligjshme pasi nuk e ka fuqinë e as nuk i mbron prodhuesit dhe importuesit e ndershëm nga konkurrenca e pandershme e tregtisë së paligjshme, por gjithashtu nuk ia mundëson qeverisë një mbledhje më efektive të taksës së akcizës.

Nga ana tjetër, normalizimi i tarifës së pullës fiskale do të çonte në çmime më të ulëta për konsumatorët, do të rriste konsumin dhe rrjedhimisht do të kishte një efekt pozitiv në buxhetin e shtetit”, vlerëson ai.

Ndërsa Enzo Panteqi nga Stefan and Co., thotë se në nivelet e vlerës aktuale të pullës, kompania e pullave është praktikisht një ortak gjobëvënës te bizneset. “Qeveria aktuale ka premtuar që do të hiqte pullën dhe kurrë nuk u mbajt ky premtim. Në rastin që pulla nuk mund të hiqet, nuk mund të jetë më shumë se 10% e vlerës aktuale”.

Të ardhurat e koncesionarit

Të ardhurat e kompanisë Sicpa, sipas bilanceve të QKB-së në vitin 2012 ishin 7 mln euro dhe 8 mln euro në vitin 2013. Në total, deri në fund të 2021, të ardhurat e kompanisë janë rreth 74 mln euro. Për periudhën 2010-2015, kompania ka raportuar humbje prej 4 mln euro, ndërsa në vijim ka rritur fitimet, duke kulmuar në 2019 me 1,7 mln euro.

Për periudhën 2016-2019, kompania ka deklaruar fitime në totalin e 5 milionë eurove. Fitimi i kompanisë në vitin 2021 ishte 1,8 milionë euro dhe në vitin 2020, 1,1 mln euro.

Çfarë kërkojnë bizneset?

Bizneset e mallrave të akcizës nuk janë kundër vendosjes së pullës fiskale, por ata kundërshtojnë ashpër çmimin e saj që po paguhet për koncesionarin, në një kohë kur edhe Kosova dhe vendet e BE-së paguajnë 10 herë më pak se ata.

Në këtë situatë, ulja e çmimit të pullës fiskale apo edhe njehsimi i saj me rajonin, jo vetëm do të reduktonte kostot e rënduara të bizneseve shqiptare, por do të ndikonte edhe te shtimi i konsumit, kaq i domosdoshëm në këtë periudhë krize të rritjes së çmimeve të lëndëve të para, energjisë dhe naftës.

Administratori i AGNA z. Kristo Naçi, pohon se shpenzimet ndër vite që ata bëjnë për pullën fiskale, jo vetëm që nuk kanë shtuar të ardhurat në buxhet, por nuk kanë arritur të adresojnë problematikën e mprehtë me tregtinë e paligjshme, që penalizon konkurrencën e ndershme.

“Nga një analizë që kemi bërë për çmimet e pullave fiskale në rajon dhe në BE, konstatojmë se çmimi i pullës fiskale në Shqipëri arrin deri në 10 herë me shtrenjtë se në vendet e sipërpërmendura duke përbërë kështu një barrë të madhe parafiskale për bizneset.

Gjithashtu nuk besoj se koncesioni i pullave fiskale ka pasur ndikim të madh në uljen e informalitetit për tregtimin e mallrave të akcizës. Ne kërkojmë nga qeveria që çmimi i pullave fiskale të shkojë në çmimet e rajonit”, thotë ai.

Qasja është e njëjtë edhe për administratorin e Stefan and Co., z. Enzo Panteqi. Sipas tij, te birra, pagesat e pullës arrijnë sa 50% e akcizës. Panteqi rekomandon se, nëse nuk hiqet pulla fiskale, duhet të minimizohet çmimi nën 10% të vlerës aktuale, pasi do të lehtësonte kostot e biznesit dhe do të nxiste rritjen e konsumit.

Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë për fillimin e procedurave të mbylljes së koncesionit që parashikohej në datën 6 gusht 2022. Në anën tjetër, kompania koncesionare pretendon se mosrealizimi i elementit për vendosjen e pullave te barnat do të sjellë shtyrjen e afatit të kontratës edhe për 10 vite të tjera. Kjo ka krijuar një situatë anormale për bizneset, të cilat në këtë periudhë po vuajnë shtimin e kostove edhe nga dallga e rritjes së çmimeve në tregjet e huaja.

Pas shqetësimeve të përsëritshme për shtimin e kostove nga tarifa e lartë e pullës fiskale, kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe tregtimit të mallrave të akcizës paralajmërojnë se nëse do të shtyhet afati i koncesionit përtej atij 10-vjeçar do të ndjekin rrugët ligjore.

“Ne si palë e interesuar i jemi drejtuar qeverisë dhe jemi optimist që kërkesa do të merret parasysh. Nëse qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë masë, ne si sipërmarrje do t’i drejtohemi rrugës ligjore”, pohon z. Naçi.

Për Enzo Panteqin, vijimi i kontratës konsiderohet vazhdimi i penalizimit të sipërmarrësve me kosto të larta në situatën e krizës aktuale. Ai thekson se, në rast se qeveria vazhdon të lejojë këtë situatë anormale, do t’i drejtohen rrugës ligjore.

Çfarë vendosi grupi i ekspertëve për përfundimin e kontratës

Një vit më parë, nisur nga shqetësimet e përsëritura të bizneseve, Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit ngriti një grup pune për të zgjidhur ngërçin e krijuar për përfundimin e kontratës.

Drejtori i koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Edmond Ahmeti, nënvizoi më herët për “Monitor” se pas konsultimeve me Avokaturën e Shtetit, grupi i punës i strukturave të ministrisë, i cili mori në shqyrtim kontratën koncesionare arriti në përfundimin se data e nisjes të kontratës është e përcaktuar në procesverbalin e përbashkët e mbajtur në atë kohë kur autoriteti konfirmon, si datë efektive 6 shkurt 2013.

“Për sa më sipër, në analizën e vlerësimit ligjor të kontratës dhe të dokumentacionit të mbajtur në lidhje me zbatimin dhe ecurinë e saj dhe rekomandimeve të Avokaturës të Shtetit konkludojmë se data e përfundimit të afatit është 6 shkurt 2023. Në konsideratë të kësaj date, në zbatim të nenit 51, të kontratës dhe aneksit 22 është përcaktuar se periudha e daljes fillon 6 muaj më parë. Atëherë data e përcaktuar do të jetë 6.08.2022.

Shoqëria koncesionare me përcaktimin e datës efektive me shkresë nga Autoriteti Kontraktues (AK) nuk mund të ketë asnjë pretendim tjetër në të ardhmen, apo kërkesë për zbatim të ndonjë penaliteti në lidhje me kontratën”, pohoi z. Ahmeti, duke cituar komunikimin zyrtar mes Ministrisë së Financave dhe kompanisë koncesionare.

Në përmbushje të këtij afati të kontratës (për zbatimin e procedurave të mbylljes 6 muaj para se të përfundojë kontrata) Ministria e Financave nuk ka iniciuar asnjë proces.

Ndërsa për kompaninë koncesionare SICPA Security Solutions Albania, data efektive e kontratës konsiston nga fillimi i zbatimit të komponentit të plotësuar, që është ai i pullave fiskale te barnat. Me fuqizimin e këtij elementi, afati i zbatimit vijon edhe 10 vite të tjera. Kompania, prej vitesh, mban të pezulluar investimin e ngritur prej saj për vënien në punë të elementit të kontratës për vendosjen e pullave fiskale te barnat.

Zgjatja e afatit të kontratës përtej afatit 10-vjeçar, për shkak të mosrealizimit të një komponenti, u cilësua absurditet juridik, sipas drejtorit të koncesioneve në MFE, Edmond Ahmeti, pasi në nenin 4 të kontratës parashikohej njoftimi i zgjidhjes të saj në rast mospërmbushje të një kushti paraprak.

“Këtë të drejtë nuk e ka realizuar asnjëra nga palët në atë kohë. Pra nuk ka hequr dorë nga kontrata, ose të ketë njoftuar palën tjetër për zgjidhje të kontratës për mospërmbushje të një kushti.

Si e tillë, duke qenë se tarifa koncesionare kishte nisur të paguhej që në vitin 2012, në vijim të diskutimeve në mbledhjet e mbajtura nga bordi i zbatimit të kontratës (përfaqësuesit e ministrisë dhe të kompanisë koncesionare) kanë rënë dakord që do të konsiderohej 6 shkurti 2013 datë e fillimit të kontratës, që do të thotë data e përmbushjes të kushteve paraprake.

Kjo ishte pjesa që nuk ishte përcaktuar zyrtarisht për hyrjen në fuqi të kontratës”.

Pse u hetua kontrata e pullave fiskale të Sicpa në Brazil?

Në shkrimin investigativ me titull “Kostoja e fshehtë e shitjes së besimit”, i publikuar nga gazeta zvicerane “swissinfo.ch” më 18 gusht 2022 (swissinfo.ch – https://stories.swissinfo.ch/sicpa-the-hidden-cost-of-selling-trust) hidhet dritë për aktivitetin e hetuar të kompanisë Sicpa në shumë shtete të tjera që nga 2015 nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.

Hetimet nisin në lidhje me ngjarjet e ndodhura në 14 shtete: Gana, Togo, Filipine, Egjipt, Brazil, Indi, Kazakistan, Kolumbi, Nigeri, Pakistan, Senegal, Ukrainë, Venezuelë dhe Vietnam. Në shkrim theksohet se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka konfirmuar që hetimet vazhdojnë, ndërkohë që refuzon të japë më shumë detaje.

Kompania ka kontrata në shumë shtete të botës për vendosjen e pullave fiskale, ku nga hetimet rezulton se dy shtete të Amerikës Latine janë lidhur nëpërmjet dhënies së ryshfeteve. Pikërisht në Brazil, sipas një hetimi të policisë federale braziliane, rezultoi se zv.presidenti i Sicpa i kishte paguar 15 milionë USD ryshfet, inspektorit tatimor federal, Marcelo Fisch, për të siguruar lidhjen e kontratës SICOBE në gjurmimin e pijeve të gazuara dhe shishes së birrës në 2008.

Në Brazil, kompania ka paguar 135 milionë franga zvicerane për t’u dhënë fund problemeve ligjore dhe për të mundësuar vazhdimin e bizneseve në atë vend. Sicpa vazhdon të deklarohet e pafajshme përballë autoriteteve zvicerane.

“Për Sicpa, kjo ishte kontrata e shekullit: 3.3 miliardë realë, apo afërsisht 2 miliardë franga zvicerane, për të përmirësuar gjurmimin e të gjitha pijeve të gazuara dhe shisheve të birrës të shitura në Brazil. Sistemi që Sicpa u shiti ishte i shtrenjtë dhe kompleks. Në vend të vendosjes së etiketave me dorë në fabrikë, prodhuesit e pijeve duhet të instalonin makineri në linjat e tyre të prodhimit, të cilat do të etiketonin automatikisht secilën shishe.

Nuk kishte vend për improvizime. Sipas një studimi të financuar nga lobi i pijeve, të ardhurat nga taksat në Brazil, u rritën me 20%, pasi u instalua sistemi SICOBE”, thuhet në shkrim e gazetës zvicerane. Në vitin 2016, kontrata SICOBE nuk u rinovua. Makineritë e Sicpa të instaluara në fabrika u çaktivizuan dhe prodhuesit e pijeve, duhet t’i ktheheshin me shpejtësi sistemit të vjetër manual.

Problemet ligjore për Sicpa nuk kufizohen vetëm në Brazil. Në Malajzi kompania nënshkroi aty, kontratën e parë në sistemin e gjurmimit për sektorin e duhanit në vitin 2004.

Kontrata u nënshkrua nga një kompani vendase Liberal Technology, për të cilën Sicpa veproi vetëm si e nënkontraktuar. Sipas një raporti të 2015-s, i Universitetit të Ilinoisit dhe Universitetit të Cape Town, kontrata malajziane iu dha në një proces “opak” pa prokurim publik. Duke cituar persona të brendshëm të biznesit të duhanit, raporti thoshte, që kompania vendase, së cilës iu dha kontrata, ishte e lidhur me politikanët malajzianë.

Një kontratë e re në këtë treg të gjerë do të ishte mundësia për t’u kthyer pas dështimit në Malajzi. Në janar 2007, në Davos, trashëgimtarët e Philippe dhe Maurice Amon, kishin objektiv të qartë. Negociatat me Filipinet duhet të kishin sukses patjetër.

“Në një dokument, që kemi arritur të marrim, sipas ligjit për informim dhe transparencë, tregohen prapaskenat e darkës së famshme të 2007 në Forumin Botëror të Ekonomisë në Davos. Kjo vjen nga hetimi në zyrat e Sicpa të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Zviceran, mbi dyshimet për korrupsion të zyrtarëve publikë të huaj. Ky hetim, që ka në shënjestër aktivitetet e kompanisë në shumë shtete, i nisur në vitin 2014, vijon ende.

Dokumenti daton në shtator 2020. Në përmbledhje të fillesës së hetimeve federale, përmendet që Maurice Amon dhe Hans Schwab lidhën një marrëveshje të fshehtë me njerëzit afër Macapagal-Arroyo, vetëm pak muaj përpara vizitës së saj në Forumin Botëror të Ekonomisë në 2007.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm raporton një takim që Hans Schwab dhe Maurice Amon mbajtën me Anthony Arroyo, nipin e Jose Miguel Arroyo, gruan e presidentit. Anthony Arroyo, kishte lidhje të forta në Manila. Përveç lidhjes së veçantë me “zotërinë e parë” të Filipineve, ai kishte edhe mbështetjen e Iggy Arroyo, një kongresmen me shumë influencë.

Dokumenti tregon, se në takimin e 2006, Anthony Arroyo u rekrutua nga Sicpa si përfaqësues për një shumë prej 5,000 USD në muaj, një shifër e cila tejkalonte disa herë pagën mesatare vjetore në Filipine (3,850 USD në vit). Gjithashtu, ishte rënë dakord edhe për një “tarifë suksesi” prej 200,000 USD.

Në raport, përshkruhet se misioni i rekrutit të ri, ishte të ndihmonte Sicpa “të menaxhonte marrëdhëniet mes xhaxhait të tij dhe presidencës.” Gjendja bëhet më serioze, pasi në dokument përcaktohet se, “ishte e qartë që në atë kohë, komisioni ishte për llogari të Jose Miguel Arroyo”.

Me fjalë të tjera, Sicpa po përgatitej t’i paguante bonus bashkëshortit të Presidentes së Filipineve kundrejt dhënies së kontratës publike, e cila përbën veprën e “korrupsionit të një zyrtari publik të huaj”, – sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Ky krim është i dënueshëm me pesë vite burg sipas legjislacionit në Zvicër.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, pakti me familjen Arroyo nuk kufizohej vetëm tek SICPATRACE. Pas tri vitesh, në 2009, një marrëveshje e re u lidh papritur, për furnizimin me bojëra të Bankës Qendrore të Filipineve.

Një “tarifë suksesi” e re u planifikua, kësaj radhe për një shumë disa herë më të madhe. Sipas dokumentit që posedojmë, ky bonus i ri, kishte vlerë prej 3 milionë USD në vit për një periudhë 6 apo 7-vjeçare, aq sa ishte edhe afati i kontratës së furnizimit”, citohen në shkrimin e botuar nga gazeta zvicerane “swissinfo.ch”.

Më tej, shkrimi vijon se edhe mes viteve 2009 – 2014, aktivitetet e kompanisë Sicpa tërhoqën vëmendjen e autoriteteve në disa shtete. Këto dyshime rrjedhimisht e bindën Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm (OAG), të niste hetimet.

Në një kthesë të papritur të ngjarjeve, nxitja për fillimin e hetimeve në Zvicër erdhi nga Shtetet e Bashkuara. Bazuar në informacionin e ardhur nga Shtetet e Bashkuara, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm çeli hetimet kundër Sicpa në fillim të 2015-s për “korrupsion të zyrtarëve publikë të huaj.”

Në vitin 2021, Philipe Amon, drejtuesi i kompanisë, u akuzua gjithashtu për korrupsion të zyrtarëve publikë të huaj nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Zvicër.

Sicpa pretendon se hetimet nga Prokuroria e Përgjithshme tashmë janë kufizuar në 4 shtete, duke përfshirë Brazilin dhe Kolumbinë (pa specifikuar dy shtete e tjera). Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm konfirmoi me median zvicerane, se ka në hetim aktivitetet e Sicpa në këto dy tregje të Amerikës Latine, por refuzoi të specifikojë numrin e saktë të shteteve në të cilat Sicpa është nën hetim në Zvicër.

Shkrimi gjithashtu trajton në mënyrë të hollësishme fillimin e aktivitetit të kompanisë 100 vite më parë nga hebreu Maurice Amon i cili krijoi formulën e yndyrës së qumështit që përdorej për mjeljen e lopëve, deri në prodhimin e bojës për printimin e bankënotave dhe pas vitit 2000, të pullave fiskale.

Kompania Sipca e ka selinë në Prilly, Kantoni Vaud i Zvicrës. Sipas raportimeve në gazetën e përditshme zvicerane “Le Temps” vlerësohet se xhiroja e kompanisë nga 750 milionë USD në 2003, u rrit në 1,5 miliardë USD në 2015. Kompania nuk ka pranuar të japë shifër të përditësuar, por tha që pjesa kryesore e të ardhurave, vjen ende nga tregu i bankënotave.

Tregu i pullave fiskale është rritur ndër vite megjithëse nuk është veçanërisht shumë i njohur. Ai përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për vendet në zhvillim. Kompania nuk thotë se sa është sot, pjesa e shitjeve të sistemit të printimit dixhital të pullave fiskale e quajtur SICPATRACE.

Në dy dhjetëvjeçarë, Sicpa ka nënshkruar më shumë se 33 kontrata në 22 shtete. Sipas kompanisë, ky sistem aktualisht operohet në 17 shtete, duke përfshirë 6 shtete në Afrikë.

Drejtuesit e lartë të kompanisë në shkrim vlerësohen për hermetizëm të lartë ndaj medias. Për herë të parë, më 19 nëntor 2021, Ruggero Milanese, drejtori për zgjidhjet e markimit dhe gjurmimit, foli për mediat, duke përmendur vetëm efektet ekonomike që kishin shtetet që zbatonin kontratat me kompaninë. Sipas Milanese, në vitin e parë të implementimit të sistemit në Kenia, shteti përfitoi 45% më shumë taksa mbi alkoolin dhe cigaret.

Në Brazil, të ardhurat nga taksat u rritën me 30% në 2019. Në Malajzi, në vitin e parë të implementimit, u mblodhën 100 milionë USD shtesë (2004). Dhe në Shqipëri, prodhimi i birrës në 2010 u raportua me 50% më shumë./Dorina Azo

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor