Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e “Mehmet Akif” që u mbyll nga qeveria


Gjykata Administrative ka rrëzuar sot kërkesën e kolegjit “Mehmet Akif”, duke lënë në fuqi vendimin e qeverisë për mbylljen e tij.

Kolegji kishte kërkuar pezullimin e vendimit të qeverisë dhe rihapjen e tij.

Kolegji “Mehmet Akif” u mbyll pasi kishte nisur viti i ri shkollot, pasi qeveria vendosi më 22 shtator për këtë.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se shkaqet për heqjen e licencës kishin të bënin me shitjen e godinës ku ishte licencuar aktiviteti, e zhvendosja diku tjetër pa leje.

Ky institucion funksiononte në Shqipëri që nga viti 1996 dhe është ndër të parat shkolla të mesme private të hapura në vend pas viteve 90’.

Disa ditë pas mbylljes, gjimnazistët e kolegjit “Mehmet Akif” protestuan kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij institucioni arsimor. Ata e konsiderojnë të pajustifikueshëm këtë vendim.

Shkolla ‘Mehmet Akif’ e kopshti ‘Turgut Ozal’ dyshohet se kanë lidhje me Fetullah Gulen, një kundërshtar i presidentit turk Erdogan, që akuzohet se ka lidhje me grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në korrik 2016.

Në disa raste, Erdogan ka kërkuar hapur mbylljen në Shqipëri të institucioneve që kanë lidhje me Gulen.