Vendosni fjalën kyçe....

“Po kthehemi në vitet 1950” – Greva godet hekurudhat në Mbretërinë e Bashkuar, punëtorët kërkojnë rritje page


Greva godet hekurudhat në Mbretërinë e Bashkuar pasi punëtorët kërkojnë rritje të pagave lidhur me inflacionin më të keq në 40 vjet që ka goditur vendin. Mijëra punonjës dolën në grevë të shtunën mes trazirave ekonomike dhe krizës së kostos së jetesës në vend.

Dy sindikatat më të mëdha të punëtorëve, RMT dhe ASLEF, organizuan grevën që paralizoi udhëtimin pasi punëtorët kërkuan një rritje të pagave e përmirësim të kushteve të punës.
Sindikatat bënë thirrje për grevë pasi bisedimet ngecën me qeverinë dhe kompanitë hekurudhore.

Ata thonë se pagat duhet të rriten për të pasqyruar rritjen e kostos së jetesës pasi vendi ka parë normën më të keqe të inflacionit, 10%, në 40 vitet e fundit.

 “Nuk kemi pasur rritje page që nga viti 2019 dhe të gjithë jemi në pozita mjaft të vështira. Njerëzit nuk janë ulur për të folur.” – tha anëtarja e sindikatës RMT, Suzanne Lewis.

Një tjetër anëtar, Chris Joyce, sugjeroi se kriza e kostos së jetesës ka krijuar kushte që nuk janë parë që nga vitet 1950.

“Unë kurrë nuk e kam njohur varfërinë ushqimore në këtë vend, ne po kthehemi në vitet 1950 dhe është katastrofike. Shumë sindikata të ndryshme janë në grevë sot si pjesë e fushatës.” – tha ai.

Anëtari i CWU, Aubery John tha: “Do jetë një dimër i vështirë për të gjithë, është tashmë. Ne nuk duam të bëjmë grevë, jemi detyruar të bëjmë grevë, askush nuk mund të përballojë uljen e pagave.”

Ndërprerja në hekurudhë shkaktoi shqetësim për shumë udhëtarë.