Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i Doganës në Malin e Zi arrestohet për kontrabandë me cigaret


Drejtori i Administratës së të Ardhurave dhe Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviç, është arrestuar më 1 tetor me urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit.

Ai dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e një zinxhiri, që ka kontrabanduar një pjesë të cigareve që u konfiskuan këtë verë në Zonën e Lirë Doganore në Portin e Barit.

Përveç Millosheviçit, edhe disa persona të tjerë u arrestuan në Nikshiq dhe Podgoricë në operacionin e Departamentit të Policisë Speciale, që u krye me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit dhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Të arrestuarit dyshohen se kanë marrë pjesë në kontrabandimin e duhanit të konfiskuar, që dyshohej se ishte djegur në disa furra në dy fabrika në Mal të Zi.

Zyra e Prokurorisë së Posaçme beson se një pjesë e pakove të cigareve që nuk u dogjën, ashtu siç ishin raportuar në dokumentet e Administratës së të Ardhurave dhe Doganës, ka përfunduar në zinxhirin e kontrabandës.

Në ngjarjen ku u dogjën cigaret, që u zhvillua më 30 shtator, kishte marrë pjesë edhe kryeministri Abazoviç dhe Millosheviç, i cili kishte deklaruar se shkatërrimi i cigareve i kryer nga Administrata e të Ardhurave dhe Doganës, paraqet një goditje të madhe për grupet kriminale të përfshira në kontranandimin e cigareve.