Vendosni fjalën kyçe....

OBSH jep alarmin për shpërthimin e kolerës


Shpërthimet e kolerës janë raportuar në 26 vende vetëm këtë vit dhe shkalla mesatare e vdekshmërisë është rritur ndjeshëm, tha të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Pas vitesh ku numrat kanë qenë në rënie, , po shohim një rritje shumë shqetësuese të shpërthimeve të kolerës në të gjithë globin gjatë vitit të kaluar.” – tha Philippe Barboza, drejtuesi i ekipit të OBSH-së për kolerën dhe sëmundjet epidemike në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Ai shprehu shqetësimin për shpërthimet në Siri, Bririn e Afrikës dhe në pjesë të Azisë, në veçanti Pakistan, i cili është duke u përballur me përmbytjet shkatërruese.

Barboza shpjegoi se ‘ngjarjet e skajshme klimatike’, të tilla si përmbytjet, ciklonet ose thatësirat, janë bërë shkak i rëndësishëm i shpërthimeve të kolerës, së bashku me varfërinë dhe konfliktin. Duke zvogëluar më tej qasjen në ujë të pastër, fatkeqësitë natyrore krijojnë ‘një mjedis ideal për lulëzimin e kolerës,  tha zyrtari.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të veprojnë sa më shpejt për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes. Meqenëse vaksinat e kolerës nuk janë lehtësisht të disponueshme, tha Barboza, është e rëndësishme të gjenden mënyra për të angazhuar më shumë prodhues.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi Ministria e Shëndetësisë e Sirisë raportoi se numri i rasteve të kolerës në vendin e shkatërruar nga lufta kishte arritur në 426.