Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, Sejko: Çështje madhore për sektorin bankar


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Konferenca kishte në fokus vizionin e institucioneve shqiptare për forcimin e ekosistemit kibernetik dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, në kuadër të përballimit të sfidave të sigurisë kibernetike, si dhe risitë e sfidat e teknologjive të reja. Guvernatori Sejko prezantoi strategjitë që ndjek Banka e Shqipërisë për një hapësirë të sigurt kibernetike.

Një ndër objektivat kryesorë të zhvillimit në Bankën e Shqipërisë është modernizimi dhe siguria e teknologjisë së informacionit, duke përfshirë zgjerimin e funksionaliteteve dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve. Në fokus gjithashtu mbetet optimizimi i infrastrukturës së rrjetit përmes teknologjive të reja për mbrojtjen e mjedisit dhe eficiencës në energji, dhe forcimi i sigurisë përmes përmirësimit të planeve të vijimësisë dhe reagimit ndaj rreziqeve kibernetike, mbështetur në standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira për mbrojtjen kibernetike.

Sipas tij, Banka e Shqipërisë punon në vazhdimësi për forcimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrjen e rrezikut të teknologjisë së informacionit. Përafrimi i legjislacionit me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së ka marrë një përparësi të veçantë me zhvillimet e fundit teknologjike.

Më konkretisht, puna e saj është e fokusuar në disa drejtime kryesore, si:

Vendosja e standardeve rregullatore dhe ligjore për mbrojtjen e sistemeve, për sigurinë e të dhënave personale dhe autentifikimin e përdoruesve. Njëkohësisht, si pjesë e kërkesave rregullatore, janë përcaktuar plane të qarta për menaxhimin e incidenteve kibernetike dhe rikuperimin e sistemit pas një sulmi.

Auditimi i rregullt dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e sistemeve dhe masave të sigurisë së institucioneve financiare për të siguruar përputhjen me standardet dhe për t’u siguruar që institucionet financiare të ndjekin praktikat më të fundit dhe të jenë të përgatitura për sulme të reja.

Krijimi i bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare për të luftuar krimin kibernetik, si dhe pjesëmarrja në grupet e shkëmbimit të informacioneve për të ndarë të dhëna mbi sulmet dhe kërcënimet e fundit kibernetike.

Guvernatori Sejko u ndal edhe në sfidat me të cilat po përballet sektori bankar në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike, të cilat janë bërë më të sofistikuara, me sulmues që përdorin taktika të reja për të shënjestruar infrastrukturat bankare. Në përgjithësi, sektori bankar përballet me një gamë të gjerë sfidash në fushën e sigurisë kibernetike që kërkojnë një kombinim të teknologjive moderne, planeve të detajuara të reagimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të stafit dhe klientëve për t’u mbrojtur në mënyrë efektive kundër kërcënimeve të ndryshme.

Nga ana e bankave janë kryer investime të konsiderueshme për mbrojtjen kibernetike gjatë viteve të fundit, të cilat synojnë të mbrojnë bankat nga sulmet kibernetike dhe të rrisin sigurinë e të dhënave dhe infrastrukturës IT.

Në mbyllje, Guvernatori u shpreh se në ditët e sotme, institucionet financiare po bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërsa përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike, ndaj siguria në këtë fushë duhet të trajtohet kurdoherë si një çështje e nivelit të lartë, ndërfunksionale dhe që prek gjithë sistemin e një vendi./MONITOR