Vendosni fjalën kyçe....

Mal i Zi shpall non grata 6 diplomatë rusë


Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se ka shpallur persona non-grata gjashtë diplomatë rus të akredituar në Podgoricë.

Në postimin e tyre në Twitter thuhet se ata shpallen non-grata “për shkak të veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka deklaruar të enjten se autoritetet shtetërore po bëjnë arrestimin më të madh të spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi.

Sipas tij, dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende.

Ai ka thënë se marrë parasysh madhësinë e shtetit të Malit të Zi, ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, si dhe Prokurorisë Speciale të shtetit, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë edhe një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka për qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.

Më herët gjatë ditës është bërë e ditur se bastistjet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.