Vendosni fjalën kyçe....

Rama i prerë: Amnistia fiskale do të bëhet edhe po s’deshi BE, kush janë ata që thonë se nuk e bëjmë dot


Në komunikimin e sotëm me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama është shprehur i vedosur se amnistia fiskale do të bëhet pavarësisht qëndrimit kundër të vendeve të Bashkimit Europian.

Rama tha se qeveria s’mund të privojë shqiptarët nga e drejta elementarë për të formalizuar të ardhurat e tyre nga puna në të zezë në vendet e huaja. Madje shtoi se as vendet e BE-së, nuk mund t’i ndalojnë ta bëjnë këtë.

 “E kundërta është e vërtetë. Nuk jemi tërhequr. Po vazhdojmë të diskutojmë për të sheshuar moskuptimet. Amnistia fiskale do të bëhet. E kam thënë dhe e përsëris. Sepse amnistinë fiskale e kërkojnë shumica e shqiptarëve. E kemi parë edhe në këshillimin kombëtar. Të gjitha pikat e këtij këshilli kombëtar ose kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes. Nënave me tre fëmijë u është dyfishuar ndihma. Dhe kështu me radhë nismat e tjera. Jo vetëm sepse e kërkon këshillimi kombëtar.

Nëse sot ne kemi në Shqipëri deri edhe një parti politike të tërë që është financuar me para të një vendi armik të demokracisë dhe të ekspozuar si armik ndaj normave që ne besojmë, dhe nëse në atë parti kemi sot në krye jo formalisht një person të shpallur non grata për të gjitha të zezat nga SHBA dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë dhe të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë dhe vazhdojnë të pretendojnë të marrin vota atëherë kush jemi ne të privojmë shqiptarët nga e drejta elementarë për të formalizuar të ardhurat e tyre nga puna në të zezë në vendet e huaja. Pse?

Kush jemi ne të paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të 1% që ka të bëjë me trafikun etj. Ne nuk jemi askush që t’ia bëjmë ferr jetën emigrantëve. Nuk jemi askush që të themi se për shkak se është kjo ju nuk mundeni. Kush janë ata që mund ta thonë këtë, sepse shqiptarët janë kriminela. Atyre nuk u vë faj sepse ia kemi bërë ne vetes përmes politikanësh që nuk ka bërë gjë pa nxirë shqiptarët për të luftuar kundërshtarin.

Atë që i bëjnë Shqipërisë vetë disa shqiptarë nuk ia ka bërë asnjë armik. Këtu shtoj edhe ata që marrin përsipër të bëjnë ndërmjetësin që kontribuojnë për mjergull dhe gënjeshtra. Amnistia do të bëhet. Ne jemi të duruar të pastrojmë cepat nga pluhuri apo iluzioni se aty ka pluhur. Unë këtu përfaqësoj shqiptarët dhe ndonjë shtet tjetër.”- tha Rama.