Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Do të depozitojmë në Kuvend projektligjin për legalizimet falas për të gjithë qytetarët


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në konferencën e sotme për mediat, ka njoftuar se do të depozitojë së shpejti një projektligj në Kuvend për legalizimin falas e të gjitha ndërtimeve pa leje deri tani të qytetarëve.

Por me një përjashtim, ato të cilat janë bërë mbi vepra të infrastrukturës si ujësjellësa.

“Ndërtimet pa leje që paskan çuditur kryeministrin aktual. Ai e ka syrin pishë dhe për të parë kotecin e të moshuarës në Nartë e për t’i treguar burgun një 82-vjeçare. Për të parë dhe avllitë e banorëve, dritaret që rregullohen pa leje, por nuk i punojnë sytë në gradacielat ku vete pi kafe çdo ditë apo merr pjesë nëpër ëork shop për të prezantuar arritjet e qeverisë. Ato nuk i shikon dot.

Prandaj PL është e vendosur t’i japë fund kësaj loje që bëhet me qytetarët sa i takon marrjes peng të tyre përmes lejimit të ndërtimeve pa leje dhe pastaj pengmarrjes për arsye elektorale, korruptive, që u bëhet sipërmarrësve të ndryshëm.

Pas 10 vitesh nuk mund t’i ankohet askujt për gjithçka ka ndodhur pa leje se është lojë që nuk funksionon.

Do depozitoojmë një ligj për legalizimet që të gjitha ndërtimet e kryera pa leje deri më sot sa i takon qytetarëve të legalizohen e të bëhen pa pagesë përveç atyre që janë ndërtuar mbi vepra të infrastrukturës publike, pra ujësjellësa apo kanalizimeve apo vepra të tjera, në mënyrë që qytetarët të shpëtojnë një herë e mirë nga makthi i presionit dhe i shantazhit, nga shteti i tyre dhe nga patronazhistët e Rilindjes për këtë problem, që e ata kanë e për të cilën përgjegjësinë e ka vetë shteti.

Ndërkohë që duhet të jetë e qartë se kush ndërton pa leje pas kësaj date nuk do ketë më legalizim por këto objekte do shemben pa asnjë dilemë dhe pa asnjë kompensim.”– deklaroi ish-presidenti Meta.