Vendosni fjalën kyçe....

Home Office rrëzon marrëveshjen Çuçi-Patel, azilkërkuesit shqiptarë nuk deportohen


Britania e Madhe duket se po merr një kthesë të fuqishme ndaj emigracionit dhe azilkërkuesve pas fitores së Liz Truss.

Home Office ka pranuar se nuk do të përshpejtojnë dëbimin e azilkërkuesve shqiptarë pas mbërritjes së tyre në Britaninë e Madhe, në një kthesë të papritur të politikës. Priti Patel, ish-ministrja e Brendshme, nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare në gusht për të kthyer ata që mbërrijnë ilegalisht.

Por departamenti ligjor i qeverisë ka konfirmuar se skema nuk do të zbatohet për shqiptarët që aplikojnë për azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Siç shkruan “The Guardian”, pranimi u bë përmes një letre ligjore që iu dërgua avokatëve që punonin për organikzatën bamirëse të refugjatëve Care4Calais, e cila kishte sfiduar politikën duke e çuar vendimin në gjykatë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve që kërkojnë leje për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të preken nga marrëveshja.

Duncan Lewis Solicitors, që përfaqëson Care4Calais, e cila kundërshtoi kërkesën, i dërgoi një letër paraveprimi qeverisë duke kërkuar zbulimin e skemës së propozuar.

Në përgjigjen e saj, departamenti ligjor i qeverisë shkruante se marrëveshjet me qeverinë shqiptare “nuk zbatohen për azilkërkuesit”.

Letra konfirmoi gjithashtu se ata njerëz që mbërrijnë në Britani me anije nuk mund të trajtohen si emigrantë të paligjshëm. “Ata nuk ‘hyjnë’, por ‘mbërrijnë’ dhe duhet të trajtohen si pasagjerë që vijnë.”- thuhej në letër.

Clare Moseley, themeluesja e Care4Calais, tha: “Blitz-i PR i qeverisë përshkroi një skemë të shpejtë të largimit që dukej se u mohonte njerëzve nga Shqipëria të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë për kërkesat për azil të bëra në Mbretërinë e Bashkuar.

Sugjerimi ishte se kërkesat për azil të bëra nga shqiptarët janë të rreme. Në fakt, shifrat e fundit tregojnë se 53% e kërkesave shqiptare për azil pranohen nga Home Office, duke treguar se për shumë shqiptarë vendi i tyre nuk është një vend i sigurt për të jetuar.”

Ajo shtoi se me qëndrimin e ri qeveria britanike po pranon “që njerëzit nga Shqipëria kanë të drejtë të bëjnë një kërkesë për azil dhe ta dëgjojnë atë në mënyrë të drejtë. Kjo është një fitore e mirësjelljes njerëzore.”