Vendosni fjalën kyçe....

Rama në OKB: Raporti i Dick Marty-t fantazi e pastër, dëmtoi rëndë Kosovën e Shqipërinë. Duam raport vijues


Kryeministri Rama kritikoi ashpër para Asamblesë së OKB-së raportin e Dick Marty-t për luftën në Kosovë. Ai tha me ironi se Marty që akuzoi Ushtrinë për Çlirimin e Kosovës për trafik organesh mund të ishte paguar si tregimtar po jo si raportues i Këshillit të Europës.

Gjatë fjalës së tij Rama shtoi se sumë i besuan atij raporti që u pasua me ngritjen e ‘dhomave speciale’.

Kryeministri tha gjithashtu se asnjë provë e pretenduar nga ‘Raporti Marty’ nuk u gjet në Kosovë apo Shqipëri po pavarësisht kësaj ‘dhomat speciale’ kanë arrestuar ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi e ish-zyrtarë të Kosovës.

Ai tha se OKB-ja duhet të pranojë kërkesën e Shqipërisë për një raport vijues, që pavarësisht dëmit të bërë do ndihmojë në rivendosjen e besueshmërisë së organizatës.

“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, Ai duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Europës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave speciale dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifestit kundër pavarësisë së Kosovës. Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thacin, ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të vërtetën dhe do pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme.” – tha Rama.

Më tej kryeministri Rama i ka bërë thirrrje OKB-së që të përqendrohet te siguria kibernetike.

Gjatë fjalës së tij në Asamble, kreu i qeverisë tha se Shqipëria pësoi një sulm të tillë para pak kohësh ndërsa pas hetimeve kishte zbuluar se pas sulmit qëndronte Irani.

“Në një kohë kur një mori krizash e kanë zhytur botën në trazira do të doja ti kërkoja asamblesë të përqendronte vëmendjen te siguria kibernetike. Bota sot është e pandarë me teknologjinë. Shqipëria pësoi një sulm me qellim vjedhjen e të dhënave dhe paralizim të sistemeve në korrik. Një hetim i kryer me ekspertizën më të mirë ka konfirmuar se sulmi ishte një agresion i orkestruar nga Irani. Qeveria shqiptare nuk pati zgjedhje por ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ne i bëjmë thirrje OKB-së të përqendrohet më seriozisht për sigurinë kibernetike për të ndihmuar në parandalim.” – tha Rama.