Vendosni fjalën kyçe....

Autoriteti i Dosjeve i përgjigjet Metës: Përdor gjuhë fyese, garantojmë shqiptarët se e bëjmë punën jashtë ndikimi politik


Autoriteti i Dosjeve i ka quajtur fyese deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë Meta drejtuar anëtarëve të këtij institucioni mbrëmjen e djeshme gjatë një interviste televizive.

Në një reagim zyrtar, Autoriteti i Dosjeve shkruan se gjuha e përdorur nga kreu i PL-së jo vetëm është fyese e cenon dinjitetin e anëtarëve por është vepër penalë që dënohet me gjobë.

“Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në mënyrë të përsëritur konstaton, me keqardhje, se gjuha e përdorur nga ana e z. Ilir Metaj në media është fyese dhe cenon dinjitetin e secilit prej anëtarëve të Autoritetit. Fyerja kundrejt moralit dhe dinjitetit të personit parashikohet si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, neni 119, paragrafi 2, i cili parashikon se: ‘Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.” – thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se Autoriteti i Dosjeve është i hapur për bashkëpunim me çdo person dhe garanton qytetarët se e kryen punën me integritet, ligjshmëri e jashtë ndikimi politik,

“Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me çdo subjekt dhe të gjithë të interesuarit, si dhe garanton publikun për kryerjen me integritet, ligjshmëri dhe efektivitet, jashtë ndikimit politik të veprimtarisë së tij, për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi  demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit të pajtimit kombëtar.” – vijon deklarata.