Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj për sulmin kibernetik: Yuri Kim po e mbron më shumë Shqipërinë se disa parti


Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, akuzoi partitë politike se po e mbrojnë vendin më pak se sa ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim lidhur me sulmin kibernetik të Iranit.

Po ashtu edhe ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.

Në një intervistë me “News 24” pas vizitës së tij në Uashington, Veliaj foli për mbështetjen dhe përkrahjen që ka marrë nga ambasadat lidhur me sulmin kibernetik, ku kritikoi opozitën se nuk kishte bërë të njëjtën gjë, por e kishte përdorur sulmin e Iranit politikisht.

“Kur dolëm me ambasadoren nga konferenca shikojmë një politizim thellësisht banal të kësaj çështjeje nga politika dhe parti të ndryshme.

Përpara pak minutash qëllova me ambasadoren e Irraelit dhe e njoh shumë mirë politikën e Izraelit, dhe e di se sa e polarizuar është brenda vendit. Por kur vjen puna për një sulm nga jashtë, nuk e ke idenë se çfarë politike ka një izraelit sepse jashtë bisedave të brendshme ka një vend, ka një komb, ka një ideal, ka një pasion, ka një energji për ta mbrojtur atë vend.

Kështu që apeli im është: Të shohësh që ambasadorja e Amerikës dhe ambasadorja e Evropës, flet dhe e mbron Shqipërinë më shumë se sa disa nga partitë politike që thuajse gëzohen që ndodhi ky sulm dhe thuajse gëzohen që qeveria apo bashkia ka një bela të tillë për të menazhuar, është e trishtë. Unë e kuptoj që ata kanë halle. Njëri ka hall se s’shkon dot në Amerikë, tjetri se është spiun, njëri se paguhet nga rusët. Unë ua kuptoj hallet, por hallet e tyre nuk duhet të kthehen në halle të kombit. Kur vendi ynë është në rrezik dhe ta mbrojë më shumë ambasadorja e SHBA-ve dhe ajo e BE-së, sigurisht është kompliment por është minimumi kur mendon se të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne shqiptarët. Pavarësisht bindjeve politike do të kemi një hapësirë politike në zgjedhje për të debatuar me njëri-tjetrin.

Por ti gëzohesh faktit se një regjim represiv si ai i Iranit sulmon Shqipërinë, kjo është shumë e trishtë dhe nuk duhet të ndodhë më se jetojmë në vitin 2022. Nuk mund t’i gëzohemi faktit se dikush sulmon Shqipërinë, për të kapur titrat e ditës në betejën tonë të vogël ballkanike.”– tha Veliaj.