Vendosni fjalën kyçe....

Rama ua ka sjellë në majë të hundës, e moshuara në takimin me Berishën: Më jep leje t’ja fus plumbin ballit


Një situatë e pazakontë ka ndodhur sot në një vizitë të kreut të PD-së në Pukë, ku dikush ka kërkuar vdekjen e kryeministrit dhe të tjerë e kanë duartrokitur.

Kryedemokrati Sali Berisha po zhvillon në këto momente një takim me banorët e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, me të cilët ka diskutuar për problematikat e zonës. Në bisedimin mes tyre u duk qartë frustrimi me kryeministrin Edi Rama dhe ndjesia se zona e tyre është lënë e braktisur nga qeveria.

Një grua e moshuar gjatë fjalës së saj, i ka kërkuar “leje” Berishës, që të vriste kryeministrin.

“Del e thotë se qytetarët janë të pasur. Po ku jena të pasur more? Ai faqezi, jo kur të marrë pushtetin, por pash Zotin më autorizo mua, pa i dhënë plumb ballit se lë… sa kam me jetu, por shkoj edhe… me e zhduk qenin”– tha ajo.

Ndonëse Berisha u mundua ta tejkalonte këtë moment duke thënë se “plumbi ynë është vota”, e moshuara mori duartrokitje nga të pranishmit.

Më pas një e moshuar tjetër mori fjalën, gjithashtu duke i uruar vdekjen kryeministrit, por këtë radhë duke shpresuar të jetë Zoti ai që ia sjell.

“Ishalla bën ndryshime tash e mbrapa, ishalla e ha dreqi e shkon e then qafën vetë ky, pa i mbetë kujt në dorë. Për Zotin, ishalla Zoti e shtyn e ia then qafën.”- tha zonja, duke krijuar zhurmë, të qeshura, e duartrokitje. Berisha u duk në siklet, po ashtu edhe zëdhënësja e tij Floriana Garo.