Vendosni fjalën kyçe....

Braimllari akuza Veliajt: 80 milionë euro të buxhetit shkojnë për pagat, po e shpenzon në funksion të zgjedhjeve lokale


Partia e Lirisë ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se po shpërdoron e keqmenaxhon fondet publike të kryeqytetit.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetar i PL-së, Endrit Braimllari tha se ndërsa qytetarët e Tiranës nuk kanë ende ujë 24 orë në banesa, Veliaj e ka kthyer bashkinë në një lavatriçe parash e strukturë gjobvënieje.

“Jemi në këtë komunikim me mediat për të denoncuar për të disatën herë shpërdorimin dhe keqmenaxhimin e fondeve publike nga Bashkia e Tiranës. Erion Veliaj e ka kthyer Bashkinë e Tiranës jo vetëm në lavatriçe të pastrimit të parave, por dhe në një strukturë gjobvënie ku grabiten qytetarët. Bashkia Tiranës, pas 8 vitesh administrim nga Erion Veliaj ende nuk siguron ujin e pijshëm për banorët e kryeqytetit me gjithë rritjen stratosferike të çmimit të ujit dhe premtimin që për 4 vite Tirana do të kishte 24 orë ujë. Po ashtu problematika me trafikun dhe infrastrukturën në Tiranë vijon të mbetet problem shqetësues. Përtej disa investimeve, që Erion Veliaj i përdor për fasadë, shumica e lagjeve dhe rrugicave në qendër por sidomos në periferi të Tiranës janë në mëshirë të fatit. Tirana falë Erion Velisë është bërë mbytëse nga kullat pa kriter dhe betonizimi, i cili ishte zotimi i Erion Veliajt në 2015 që nuk do të lejonte ndërtime të reja shumëkatëshe në Tiranë.” – tha Braimllari.

Nënkryetari i PL-së shtoi më tej se ndotja në Tiranë është rritur ndjeshëm duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve.

Braimllari theksoi se një e treat e buxhetit ose 80 milionë euro shkojnë për pagat e administratës, që është kthyer në një zyrë pune për militantët.

“Në vitin 2019, Banka Botërore konstatonte se gati 10 për qind e vdekjeve në Shqipëri ndodhin për shkak të ndotjes së mjedisit. Natyrisht që në vendin e parë ishte Tirana, ku përqindja e vdekshmërisë për shkak të ndotjes ishte edhe më e madhe. Prej atëherë situata është përkeqësuar, teksa smogu i shkaktuar nga makinat dhe kantieret e ndërtimit të kullave është kthyer në një problem për të gjithë banorët. Bashkia e Erion Veliajt ka hartuar për 2023 një megabuxhet me plot 250 milionë euro fonde. 1/3 e tij ose 80 milionë euro shkon vetëm për pagat e administratës së fryrë të bashkisë, e cila është kthyer në një zyre pune për militantët partiak dhe patronazhistët për t’i përdorur në fushatën e radhës. Por në këtë buxhet bashkia nuk parashikon asgjë për të ulur nivelin e ndotjes që po merr çdo ditë jetë njerëzish.” – shtoi Braimllari.

Deputeti i Partisë së Lirisë e mbylli deklaratën duke theksuar se Veliaj nuk ka asnjë projekt për të luftuar varfërinë apo për të nxitur punësimin por e ka kthyer buxhetin në shërbim të zgjedhjeve lokale.

“Por mbi të gjitha në këtë buxhet Bashkia e Tiranës nuk parashikon asgjë për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur punësimin. Ky është buxheti elektoral dhe personal i Erion Velisë, ku çdo gjë është vendosur në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore nga kryetari në ikje i bashkisë. Ndaj është momenti që më mbështetjen e qytetarëve të kthejmë llogaridhënien në Bashkinë e Tiranës, të kthejmë Këshillin Bashkiak në Parlamentin e qytetit ku përcillet zëri i tyre, ku rritet transparenca dhe hapet bashkia për të gjithë banorët e Tiranës.” – mbylli deklaratën Braimllari.