E-mailet e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano, të publikuara nga grupi “Homeland Justice”, kanë zbuluar një sherr mes dy drejtuesve të policisë në Tiranë.
Bëhet fjalë për një sherr të ndodhur mes shefit të krimit ekonomik Haxhi Bala me drejtorin e Policisë së Tiranës Lorenc Panganika.
I pari i ankohet Nanos për të dytin, se e ka ofenduar dhe përzënë nga zyra.
Në email Bala i shpjegon Nanos se Panganika e kishte telefonuar duke i kërkuar të paraqitej në zyrën e tij për ta sqaruar në lidhje me disa praktika te dërguara për nënshkrim. Por në zyrë kishte nisur një përplasje mes tyre.
Bala thotë se Panganika nisi ta ofendojë duke e quajtur “plehrë” dhe i ka kërkuar që të “zhduket” nga zyra e tij.
“Dokumentet që kishim dy javë që punonim, mi hodhi fytyrës; vijoji duke më quajtur plehrë; dil jashtë nga zyra; mos ta shoh surratin; kjo, në zyrën e shtetit, për punën e shtetit, me punonjësin e shtetit.
I thashë: Ruaj qetësinë dhe mos fyej, sepse po i kthen personale. Dola nga zyra dhe zbrita në zyrë, thjesht për të mos agravuar situata më shumë.”- tregon Bala.
Më pas ai kërkon nga Nano që ta transferojë në një pozicion tjetër përkohësisht, pasi e ka të pamundur të vazhdojë punën në atë ambient.
E-maili dërguar Gledis Nanos nga Haxhi Bala:
Përshëndetje Zoti Drejtor,
Ju informoj se sot më datë 22.12.2021, më ka ndodhur ajo që nuk më ka ndodhur nga data 03.07.1990, që kam filluar punë.
Në orën 12:24, me telefonon Titullari i njësisë Zoti Lorenc PANGANIKA, në lidhje me disa praktika te dërguara për nënshkrim.
Ngjitem lart ne zyra e Titullarit, dhe po e sqaroja për praktikat e dërguara, konkretisht, për praktiken me objekt: Trajtimin me ushqim të të ndaluarve dhe arrestuarve deri në sqarimin e pozitës se tyre, për shkak se kontrata përfundon më datë 31.12.2021.
Gjatë sqarimit, pyetje-përgjigje të karakterit sqarues, më shumë mosbesues se sa shterues, duke i marrë me radhë termat e përdorur, referenca ligjore, kush merr pjesë në procedurë, hidhet në sistem apo jo, etj, normale deri këtu. Pas përsëritjes disa herë të pyetjeve, Drejtori Vendor i Policisë, Zoti PANGANIKA, me kërkoi një informacion për të njëjtin problem, që e sqarova, duke i sjellë në vëmendje se: Praktika (Memo, Informacion, Relacion, Justifikime për përzgjedhjen e procedurës, shkresa) ja ku janë dhe ia vë në dispozicion: ju kam bërë me dije; i ke nënshkruar dhe keni lënë detyra, dhe paralelisht duke e mbajtur të informuar në kohë reale Titullarin e njësisë.
Zoti Drejtor,
ndërkohë nga ky qëndrim, duke menduar se kisha dy jave që punoja intensivisht për këtë procedure, sepse rrezikojnë të mbeten pa trajtim me ushqim personat e ndaluar dhe arrestuar deri në sqarimin e pozitës se tyre; duke mbajtur komunikime intensive me:
Agjencinë e Blerjeve te Përqendruara, ne Ministrinë e Brendshme,
Agjencinë e Prokurimit Publik,
Departamentin për Shërbimet Mbështetëse, ne DPPSH, dhe pas këtij angazhimi disa ditor, në funksion të përmbushjes së detyrës, sot, më datë 22.12.2021, në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, u botua publikimi i procedurës se përzgjedhur (e them me shumë sinqeritet u gëzova, pasi mendova dolëm nga ngërçi), dhe ndërkohë paralelisht kam mbajtur të informuar në kohë reale Titullarin e njësisë, dhe pasi e sqarova për gjithçka, vazhdova: Drejtor po më lodh, unë i thashë jam asistenti yt i drejtpërdrejtë për shërbimet që mbuloj dhe drejtoj.
Vazhdova: Nëse nuk ekziston besimi, ma thuaj të bëj kërkesë dhe të iki. Kaq ishte dhe shpërtheu, me fyerje:
Dokumentet që kishim dy javë që punonim, mi hodhi fytyrës; vijoji duke më quajtur plehrë; dil jashtë nga zyra; mos ta shoh surratin; kjo, në zyrën e shtetit, për punën e shtetit, me punonjësin e shtetit.
I thashë: Ruaj qetësinë dhe mos fyej, sepse po i kthen personale. Dola nga zyra dhe zbrita në zyrë, thjesht për të mos agravuar situata më shumë.
Nuk e kam provokuar (fatkeqësisht nuk kisha prezent te tjerë), përkundrazi kam qenë i qetë, shumë institucional, duke respektuar rregullat e etikës dhe komunikimit, duke i thënë: Aktualisht jam shumë, shumë keq emocionalisht dhe i fyer, ndërkohë nuk më behet të hap as zyrën dhe as të komunikoj me vartësit.
Unë e di që Ai është Drejtor, mund te këtë dhe suport, por, nuk mund ta lejoj që sot ndaj meje të përdoret ky zhargon, i denjë as për një njeri të rëndomtë.
Zoti Drejtor,
unë e kuptoj, ka 2 muaj që mban këtë qëndrim, nuk vazhdon me kështu, por me emëro diku tjetër përkohësisht, pasi e kam pamundur të vazhdoj.
Kaq sa për informacion, sepse mundet që edhe Titullari i njësisë, mund të bëjë të njëjtën gjë.
Duke Ju falënderuar dhe kërkuar mirëkuptim për çdo shqetësim
Shefi i Sektorit Ekonomik
Haxhi BALA