Vendosni fjalën kyçe....

Plani për ta ekzekutuar/ Zyra e Kurtit pas publikimit të hackerave: Kryeministri ka qenë në dijeni, u mbajt sekret për të mos përhapur panik


Zyra për informim e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas dokumentit të publikuar në “Telegram” nga hackerat e “Homeland Justice”, mbi hetimet për një atentat ndaj tij.

Në një përgjigje për mediet në Kosovë, zyra e Kurtit ka konfirmuar raportet duke thënë se kryeministri ka qenë në dijeni, pasi është njoftuar për këtë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë. Mirëpo rasti është mbajtur jopublik, për të mos krijuar panik.

“Përgjigje në pyetjet tuaja rreth raportimit në media për një plan për atentat ndaj Kryeministrit Kurti në vitin 2021: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.” – thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit Kurti.

Plani për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, u zbulua sot në një prej emaileve të ish-drejtorit të policisë Gledis Nano, të publikuara nga hakerat e “Homeland Justice” (kliko këtu).

Sipas dokumentit, në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar, i cili përshkruhet se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve.