Vendosni fjalën kyçe....

Nga financimet ruse në PD te dosja e I.M, rendi publik dhe rritja e pagave e pensioneve- Përgjigjet e Ramës në bashkëbisedimin me qytetarët


Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama iu rikthye bashkëbisedimit me qytetarët e gazetarët në rrjetet sociale.

Kryeministri u pyet që nga situata politike dhe raportet me kundërshtarët, kriza energjetike, rritja e pagave dhe pensionet e deri te situata e rendit publik, shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm apo edhe zbardhja e ngjarjes së të kërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj.

Financimet ruse në PD

Lidhur me çështjen e financimeve ruse në Partinë Demokratike, Rama tha se socialistët kanë kërkuar që të hetohej kjo çështje por drejtësia nuk ka dhënë kurrë një përgjigje.

Askush prej një mase të madhe përveç PS nuk ka marrë përsipër që të thellohet në këtë drejtim. Ka qenë një përqeshje e madhe. Ka qenë një front i madh i bashkuar politiko mediatik për ta mohuar me të qeshur. Kjo është një pyetje që duhet t’ja drejtoni prokurorisë, drejtësisë, pasi në fund të fundit politika dhe media kanë bërë zgjedhjet e tyre. Drejtësia e ka trajtuar çështjen dhe nuk ka dhënë kurrë një përgjigje. Sot shoh shumë që janë të tronditur! Detyra e tyre nuk është se sa herë flas unë apo PS, të skërmisin dhëmbët dhe të lëshojnë fjalë të rënda duke përqeshur çdo gjë që ne themi për kundërshtarët”-deklaroi Rama.

Madje Rama iu përgjigj edhe reagimit të Sali Berishës që e cilësoi atë si personin që mbylli dosjen për Bashën.

Rama tha se Berisha mohoi me forcë çdo lidhje të PD me Rusinë dhe mbrojti Bashën.

Po mirë mo a nuk është i njëjti që me forcë mohoi çdo lidhje të PD me Rusinë, i vuri gjoksin dhe e mbrojti me pathos Lulzim Bashën?!”-deklaroi Rama.

Sulmi kibernetik

Rama tha se sulmi ka qenë agresiv me qëllim zhdukjen e sistemeve dhe shkatërrimin pa kthim.

Sipas tij agresioni nuk ia ka dalë të marrë të dhëna sensitive. Rama i quajti publikimin e disa email-eve dhe dokumenteve nga grupi që pretendon se ka kryer sulmin si jo sekrete dhe që mund te merren nga çdo kush me një kërkesë.

Ky është shqetësim i madh, i ri sepse ne kemi sulme të vazhdueshme kibernetike prej shumë vitesh. Por të një shkalle të ulët për nga pikëpamja e aftësisë dhe shpejtësisë së penetrimit. Këto flukse sulmesh të regjistruara nga institucioni që koordinon të gjithë projektin e revolucionit dixhital kanë qenë sulme të pasuksesshme. Ky është një agresion i mirëfilltë luftarak në botën e internetit, dhe të gjithë sistemeve digjitale, një agresion i egër që ka pasur synim të qartë zhdukjen e sistemeve dhe shkatërrimin pa kthim të tyre duke lënë një tokë të djegur nga mbrapa. Ky është konkluzioni i ekspertëve që na kanë mbështetur dhe zotërojnë njohurinë më të madhe sot, ekspertët e Microsoftit. Dëmet janë shumë më të lehta se sa shkalla e agresivitetit. Sistemet janë kthyer në punë, të dhënat janë krejtësisht irrelevante sa i përket sensitivitetit të tyre. Një pjesë e tyre janë publikuar, vendime qeverie, shkresa që qarkullojnë në rrjetin e brendshëm që mund të merren nga çdo i interesuar me një kërkesë të thjeshtë, nuk janë dokumente sekrete. Çdo gjë tjetër ka pasur qëllim dezinformimin”-deklaroi Rama.

Ligji për ish-spiunët

Mbi këtë çështje Rama tha se Ilir Meta është bërë hall për Shqipërinë dhe projektligji do adresojë dhe do japë transparencë për çështjen e ish-presidentit që aludohet nga Autoriteti i Dosjeve si bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit.

Nuk e di a jemi kujtuar ne vonë apo koha e solli që të ndërhyhej përsëri në atë ligj me kërkesë të autoritetit të dosjeve për të mundësuar transparencën lidhur me një çështje e cila ka peshën dhe ka patjetër meritën e vet, në sensin që nuk mund të lihet pa u bërë transparente Është çështja e një shtetasi I. M. spiun i sigurimit, një profil që krijon dyshimin se pas tij qëndron ish-kryetari i Kuvendit, ish-presidenti, ish-kryeministri dhe sigurisht që kjo kërkon një adresim.

Në ligj është vendosur që kush kontrollohej më parë, nuk mund të kontrollohet. Mbase dikush mund ta ketë bërë me qëllim. Nuk është çështja se u kujtuam ne vonë, apo se na është bërë hall zotëria. Zotëria është një hall i madh i Shqipërisë prej kohësh dhe nuk është sot. Jo i imi, jo i joti në interes politik. Nuk është ky fare problemi”-tha Rama.

Konfiskimi i ndërtimeve pa leje

Kryeministri duke folur për VKM-në e re të konfiskimeve ose blerjeve të sipërfaqeve të ndërtimit pa leje me qëllim përfitimin tha se erdhi si nevojë se kjo çështje nuk adresohej nga organet e drejtësisë.

Madje ai nuk la pa sulmuar prokurorët e gjykatësit të cilët nuk kanë dënuar asnjë sipërmarrës që ka shkelur ligjin duke ndërtuar pa leje.

“Nëse unë do doja të bëja pazare me këta të pasur e oligarkë do e kisha shumë të thjeshtë. VKM vjen si nevojë për të kapërcyer këtë ngërç me vite, ligji është aty me vite, merrni shikoni sa denoncime janë bërë ndër vite. Prokurorët bëjnë pazare me ta, gjykatësit bëjnë pazare, e ato dosje prokurorët i bëjnë tregti me politikën. Vendimi që kemi marrë nuk i largon duart e drejtësisë ndaj tyre, një VKM nuk heq dot nga duart e drejtësisë dikë, por ata që ndërtuan këto kate do vënë mend se nëse e ndërton një kat a leje se korruptim një inspektor, e ke gjykatësin e prokurorin në xhep ty nuk të del llogaria se pastaj atë kat do duhet ta blesh me çmimin real jo me çmimin që deklarojnë këta”-deklaroi Kryeministri.

Largimet dhe emërimet në kupolën e policisë

Kryeministri Edi Rama, pranoi në bashkëbisedimin me qytetarët se i është kërkuar dorëheqja ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Madje Rama tha se Nano kishte pranuar se do jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi ishte bërë biseda ditën e shtunë nga ministri.

Qeveria, sipas Ramës ishte e shqetësuar nga zhvillimet për rendin publik.

Është e vërtetë i është kërkuar dorëheqja drejtorit të mëparshëm. Ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi biseda ishte bërë të shtunën nga ministri. ishim të shqetësuar nga zhvillime të papëlqyeshme për rendin publik dhe vetë policinë e shtetit, çështje që janë trajtuar me drejtorin e përgjithshëm të mëparshëm”, deklaroi Rama.

Rama dhe për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku si dhe akuzat e pak viteve më parë për të ashtuquajturin “grupi Çiftelia”.

Rama tha se Muhamet Rrumbullaku nuk vjen nga portalet në krye të Policisë së Shtetit, por vjen nga disa vite punë në drejtimin e AMP

“Mbase këtë duhet ta merrni si një nga shembujt që ne nuk qeverisim duke i ndarë shqiptarët në të tanët dhe të atyre, dhe as nuk merremi me biografi në sensin politik dhe as nuk merremi me gjëra të kësaj natyre. Pra, nuk jemi një regjim patronazhistët siç thuhet dhe me këtë rast i përshëndes gjithë patronazhistët kudo ku janë se janë zemra e pazëvendësueshme e PS-së, por jemi një qeveri e cila vlerëson meritën. Ju kujtoj që Muhamet Rrumbullaku nuk vjen nga portalet në krye të Policisë së Shtetit, por vjen nga disa vite punë në drejtimin e AMP, pra një ndër drejtorët më të rëndësishëm dhe një ndër oficerët me eksperiencën më të gjatë dhe me karrierën më profesionale në Policinë e Shtetit, kështu që ato çiftelitë dhe ato daullet e risjella 10 vjet më mbrapa në skenë për arsye që unë i di, por që nuk ka rëndësi fare t’i harxhojmë kohë publikut këtu, pse dhe nga kush dhe si, nuk kanë asnjë vlerë”-deklaroi ai.

Çështja Ervis Martinaj

Mbi këtë çështje Rama tha se e kanë një përgjigje por nuk mund të thuhet zyrtarisht pasi kërkon që të jetë e provuar. Sipas tij Policia do e japë një përgjigje shumë shpejt të bazuar në prova.

Nëse përgjigjja do të ishte aty dhe do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për 9 ditë, por besoj se duhet të keni pak më shumë durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe unë jam besimplotë që do ta kemi shumë shpejt. Sepse përgjigjja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por s’mund të thuhet zyrtarisht sepse kërkon të jetë e provuar”, deklaroi Rama.

Sinaloa pastron paratë në Shqipëri?

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me artikullin e mediave spanjolle ku thuhej se karteli më famëkeq në botë për trafikun e drogës, ‘Sinaloa’ është i lidhur me mafian shqiptare për pastrimin e parave të pista.

Rama tha se mediat shqiptare nuk kanë verifikuar asgjë, por kanë marrë për gojë një familje, duke ju referuar vllezërve shqiptar me mbiemrin Hysa, dhe duke i lidhur me një nga kriminelët më të mëdhenj në botë.

‘”uk ka një dallim të madh midis medias në fjalë meksikane dhe medias tuaj mendoj se është e njëjta gjë. Mund të thuhet të vërteta por edhe gënjeshtra. E konsideroj të neveritshëm që me një copë letër që del diku merrte një familje e tërë shqiptare dhe kryqëzohet nga mediat shqiptar pa e pyetur fare dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë, pasuria e të cilit thuhet se është më e madhe se GDP e Gjermanisë me një hotel që ka vlerë 100 mln lekë. Asnjë verifikim. Kap shqiptarë, kap amerikan kap emra përplasi pas muri, ngri e uli kriminelë të të gjitha të zezave dhe ju qofshi e zoti ju pastë në kujdes. Jam i pafuqishëm për ta vënë fuqinë tim në dispozicion. Nuk ndonjë ndonjë kartel nuk kam asnjë lidhje me asnjë aktivitet kriminal. Ju kam lënë zotin. Doli një artikull atje dhe mbushet rrejti i kanaleve këtu me një llumhane që nuk e di sesi bëhet për ta frenuar.”- u shpreh Rama.

Rritja e çmimit të energjisë

Rama tha se qytetarët mund të shohin vetë faturën e tyre se sa konsumojnë. Ai deklaroi se me 800 kilovatë mund të plotësohen të gjithë nevojat bazë dhe se janë rreth 60 mijë persona në sezonin e dimrit që mund të kalojnë këtë fashë.

Janë 1 mln e 90 mijë familje që konsumojnë deri në 800 kilovatë orë, mbi 40 mijë familje konsumojnë mbi 800 kilovatë. Në periudhën e ftohtë, shkon në 60 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kilovatë.

Njerëzit të marrin faturën e tyre të energjisë ta shikojnë sa konsumojnë.

800 plus është vendosur me një logjikë, duke marrë parasysh se deri në 800 mund të plotësohen të gjitha nevojat bazë për konsum shtëpiak, nevojat kur nuk ka kufizim energjie”.

Rritja e pagave dhe pensioneve

Për çështjen e rritjes së pensioneve, Rama tha se asnjëherë nuk është mjaftueshëm por qeveria që ai drejton ka bëtë shumë  për t’i qëndruar pranë pensionistëve.

“Kjo është një çështje shumë sensitive natyrisht, çështje e shqetësimit tonë të përditshëm. Sado ne t’i ngremë pensionet asnjëherë nuk do të mund to t’ia themi vetes, pensionistëve jo e jo, që kemi bërë mjaftueshëm. Por fakti është se ne kemi ndërhyrë për të parë në të gjithë këto vite për të indeksuar pensionet 2 herë brenda një viti. Nëse i referohemi numrave kemi një rritje afër 10% të pensioneve. Këtë e kemi bërë për të ndihmuar pensionistët për të përballuar inflacionin në ushqimet bazë. Nuk është shumë por në fakt është shumë më shumë se sa ishte. Duhet të themi që inflacionin Shqipëria po e mban nën një kontroll krahasuar me vendet e tjera. Në vendet e tjera të rajonit është mbi 11% ndërsa në Shqipëri është një shifror. Patjetër që duhet bërë më shumë por ama rritja e bërë për pensionistët është një rritje e qëndrueshme dhe jo një paketë me afat”, tha Rama.

Rama lajmëroi se së shpejti do ketë edhe një rritje për zjarrfikësit duke pasur parasysh që edhe situata me zjarret është bërë shumë problem.

“Do të rriten edhe pagat e zjarrfikësve, që janë shumë të rëndësishëm edhe në këto kohë kur zjarret janë gjithmonë e më shumë një problem. Do ta adresojmë edhe atë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për protestën e pedagogëve ndërsa u shpreh se pagat do të rriten por me forcë dhe ultimatum nuk do përfitojnë asgjë nga kjo qeveri.

‘Më vjen shumë keq po mbase është momenti që me forcë dhe ultimatume mua dhe kësaj qeverie nuk i merret gjë, aq më tepër në këtë kohë krizë, aq më për kur me të gjithë rektorët ne kemi tryezë të hapur, dialog pozitiv dhe konstruktiv. Kemi tryezën e shtatorit, për shkak të angazhimit tim në Kombet e Bashkuara që iki nesër dhe mendova që ta bëj në tetor. Kemi folur dhe për pagat e pedagogëve por jemi në tjetër kontekst, universiteti ka të tjera gjëra për të kapur. Universiteti me autonominë e tij duhet të jetë në gjendje të krijojë të ardhurat e veta. Sot në UT kemi të dhëna shumë interesante që flasin për rritje  e të ardhurave të pedagogëve nga vëmendja nga programet ndërkombëtare. Kemi një nr më të lartë të pedagogëve të merituara. Ne nuk bëjmë rritje të përgjithshme për të gjithë njëlloj. E kanë politikën vetëm ne ua kemi lejuar. U kemi thënë patjetër, këtë mund ta bëni, por me buxhetin e shtetit me taksat ne do të shikojmë çfarë secili universitet çfarë u jep universiteti kontribut shoqërisë dhe do të vlerësojmë suksesin. Po përgatisim një sukses të ri, nuk diskutohet do shohim dhe pagat po këto kërcënimet po këto janë edhe se di sesi janë në këtë kohë krize, nuk dalin ata. Janë më mirëkuptues pensionistët po këta që bërtasin më shumë se të gjithë zakonisht janë pa meritë fare”-deklaroi Kryeministri.