Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky i kërkon botës të dënojë “shtetin terrorist” rus


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë “shtetin terrorist” rus, pas zbulimit të një varreze masive dhe dëshmive për torturë në Izjum.

Zbulimet në Izjum u bën disa ditë pasi forcat ukrainase rimorën kontrollin e qytetit nga forcat ruse gjatë kundërofensivës së tyre në rajonin verilindor të Harkivit.

Gjatë një adresimi në orët e vona të 16 shtatorit, Zelensky tha se Rusia duhet të ndëshkohet me sanksione më të ashpra.

“Tashmë ka dëshmi të qarta të torturës, të trajtimit poshtërues të njerëzve. Për më tepër, ka dëshmi se ushtarët rusë, pozicionet e të cilëve nuk janë larg këtij vendi, vranë dhe varrosën qytetarë për qejf”, tha ai.

Zelensky i krahasoi gjetjet në Izjum me masakrën në Buça në pranverë, dhe përsëriti thirrjet që të krijohet një tribunal ndërkombëtar për të mbajtur përgjegjëse Rusinë për krimet e saj në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se të pakën 440 trupa u gjetën në një vend në Izjum.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se planifikon që të dërgojë hetues në Izjum, ndërkaq John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, tha se njoftimet për ngjarjet në Izjum janë “të neveritshme” që sipas tij përshkruajnë “brutalitetin” e forcave ruse në këtë luftë.

Moska nuk ka komentuar për varrezën masive në Izjum.

Ndërkaq, gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, tha se krimet në Ukrainë nuk mund të fshihen.

“Sa i përket shkallës [së krimeve të pretenduara të luftës], këtë nuk e di. Por, mund t’iu them se bota do ta kuptojë këtë. Krimet e luftës nuk mund të fshihen, veçanërisht varrezat masive”, tha ai për gazetarët pasi arriti në Estoni, ku do të takohen anëtarët e NATO-s.