Vendosni fjalën kyçe....

Rama i bën për “një lekë” kryetarët e bashkive: “Ne rrisim investimet ju humbjet, i shihni ndonjëherë raportet që na jepni?!”


Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mesditën e sotme kryebashkiakët për të diskutuar lidhur me performancën e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri kritikoi kryetarët e bashkive të cilëve u drejtoi 3 pyetje. Rama tha se ndërkohë që qeveria rrit investimet në këtë sektor, bashkitë rrisin humbjet.

“Unë kam 3 pyetje për ju të gjithë si kryetarë bashkish. Pyetja e parë është: A jeni ju në dijeni të performancës së Ujësjellës Kanalizimeve në Bashkinë tuaj, të shërbimit që drejtoritë/ ndërmarrjet e ujësjellësve ofrojnë për qytetarët?!

E dyta: Ju a i keni parë ndonjëherë vetë raportet që më pas ia jepni vetë qeverisë si vetëdeklarime për performancën me të gjitha të dhënat për orët e furnizimit, normën e faturimit, normën e arkëtimit. Numrin e punonjësve krahasuar me standardet, psh e keni parë ndonjëherë që është përtej çdo logjike, jo standardi?!

Dhe pyetja e tretë: Sa fonde keni alokuar ju nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë?!

Natyrisht këto janë pyetje retorike sepse faktet flasin vetë, dhe faktet më të fundit tregojnë se ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet. Dhe pastaj janë qytetarët që me të drejtë ankohen sepse rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. 79% janë humbjet, një piramidë që merr para. Si mund të vazhdojë kështu kjo histori?– deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Rama mori si shembullin më negativ bashkinë e Vlorës për të cilën tha se ka regjistruar 78.9% humbje në këtë sektor. Ai deklaroi se të punësuarit në Ujësjellësa janë sa një armatë.

“Si mund të jenë akoma në punë këta drejtorë ujësjellësish, si mundet që numri i të punësuarve në ujësjellësit e Shqipërisë është sa një armatë e ndonjë shteti që është 10 herë më i madh se Shqipëria. Natyrisht që fjalët të gjitha janë thënë, është koha për të vepruar dhe siç folëm për mbetjet, edhe në këtë drejtim qeveria nuk do rri në pozitën e financuesit, por do përfshihet aktivisht në këto shërbime.”– u shpreh Rama.

Po ashtu, ai theksoi se drejtuesit e ujësjellësit në të gjithë vendin nuk do të zgjidhen më në të njëjtën mënyrë siç janë zgjedhur deri më tani./Hashtag.al