Vendosni fjalën kyçe....

Biden paralajmëron Putinin: Po përdore armë bërthamose ose kimike në Ukrainë do kesh pasoja të rënda


Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar Rusinë për pasoja të rënda nëse përdor armë bërthamore ose kimike në Ukrainë.

Në një intervistë me CBS News, një pjesë e së cilës u publikua të premten, Biden u pyet se çfarë do thoshte nëse do mësonte se Moska po shqyrton përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë për të kundërshtuar atë që Kievi e quan një kundërsulm të suksesshëm në lindje.

Presidenti, megjithatë, nuk pranoi të përshkruante se cila do ishte përgjigja e SHBA-së.

“Mendoni se do t’ju tregoja nëse do ta dija saktësisht se çfarë do ishte? Sigurisht që nuk do t’ua them. Do jetë me pasoja shumë të rënda.” – tha Biden.

Megjithatë, ai tha se nëse do ndodhte një sulm bërthamor ose kimik, përgjigja e Amerikës do varej ‘nga shkalla e asaj që do bëjë Rusia’.

Në mesin e gushtit, ministri rus i Mbrojtjes Sergey Shoigu hodhi poshtë pretendimet se Moska mund të përdorte armët bërthamore në Ukrainë si ‘absurde’, duke thënë se nuk ka objektiva në Ukrainë që do ta garantonin një gjë të tillë.

Qëndrimi i tanishëm bërthamor i Rusisë lejon përdorimin e tyre vetëm kur ‘kërcënohet vetë ekzistenca e shtetit’.