Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi akuza Ramës: Legalizimi i ndërtimeve pa leje antikushtetues, e vendose shtetin në shërbim të oligarkëve


Deputeti i PD-së Gazment Bardhi akuzoi sot kryeministrin Rama se e ka vendosur qeverinë e tij në shërbim të oligarkëve për sa i përket vendimin e fundit për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Në një deklaratë nga Kuvendi, ai tha se vendimi i fundit e ka kthyer paligjshmërinë në sistem.

“Prokurori i Përgjithshëm, thotë se nuk është detyra e tij të merrte me ndërtimet. Ai nuk e ngre kokën të shohë paligjshmërinë e Ramës dhe oligarkëve. Ministri i Brendshëm që propozon për propagandë në Farkë, thotë se i duhen më shumë të dhëna për  të verifikuar grattacelën. Oligarkëve Edi Rama u ka dhënë status të paprekshëm. Edi Rama është shtetar dhe shprehet me akte. Më 7 shtator, miratoi vendimin nr. 589 duke konfirmuar se milionerët miqtë e tij gëzojnë statusin të paprekshëm. Këtë akt, zyra e propagandës e shiti si luftë kundër milionerëve. Por, rezulton që milionerët e kullave në mes të Tiranës janë të ndryshëm. Vendimi i qeverisë parashikon që kush ndërton kulla apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, t’ia shesë shtetit me 1 euro e ta blejë. Me këtë akt, Edi Rama ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe i ka dhënë lejen çdo oligarku që të shtojë pa leje sa kate të dojë. Nxitje për milionerët e Ramës, për të vijuar të ndërtojnë kate pa leje.” – tha Bardhi.

Më tej Bardhi tha se PD-ja e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin në fjalë pasi ai është kundër interesit publik, në shkelje të Kushtetutës e në shërbim të oligarkëve.

“Çmimi i tregut në zonën e pallatit në fjalë është rreth 1500 euro metri katror, por në zyrën e shitjeve të kësaj kompanie, çmimi real i shitjes është 5000 euro katrori. Në fund do të fitojnë 2500 euro për metër katrorë, 2500 ia paguajnë shtetit e 500 gjoba. Ligji e ka rregulluar në mënyrë shteruese çfarë ndodh nëse kryen shtesa pa leje. Masat janë gjobë të barabartë me vlerën e punimeve, prishje ose konfiskim për interes publik, mosdhënien e lejes së shfrytëzimit, referim në prokurori dhe dënim me burgim për ndërtime pa leje. Edi Rama të shpjegojë pse milionerët nuk kanë asnjë përgjegjësi penale. Pse policia shkon në mal te një fshatar që rregullon çatinë e shtëpisë, por nuk sheh kullat pa leje në mes të Tiranës. Ligji nuk njeh mundësinë e legalizimit, parablerjes a shmangies nga përgjegjësia penale. PD e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, pasi vendimi i qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët është në kundërshtim me Kushtetutën, u jep amnisti.” – shtoi Bardhi.